Google ADS

Punishtja e armëve në Kamëz: Aktiviteti drejtohej nga një person në kërkim ndërkombëtar

23:26 | 18 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Punishtja e armëve që u gjet nga policia në Kodër-Mëzez dyshohet se drejtohej nga një person në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

I kërkuari së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij tashmë të arrestuar, Dorian Kalo dhe Elvis Bakalli, centronin armët dhe i pajisnin me silenciator e më pas i shisnin në grupet kriminale me të cilët kishin kontakt.

Specialist në rregullimin dhe modifikimin e armëve dyshohet se ishte 45 vjeçari Dorian Kalo, i cili dyshohet se këtë aktivitet më herët e ka kryer në banesën e tij. Pas arrestimit të Enver Jamakut në prill të 2021 pas atentatit të dështuar ndaj biznesmenit gjon Mena, Dorian Kalo e stopoi aktivitetin e paligjshëm.

Enver Jamaku tregoi për uniformat blu 19 baza armatimi në tiranë dhe dha informacion edhe për Dorian Kalon që sipas tij kishte bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme. Policia sekuestroi një arsenal të tërë armatimi por në banesën e Kalos nuk u gjet asgjë dhe ai nuk pati problem me drejtësinë.

Dyshohet se më vonë ai ka bashkëpunuar me Elvis Bakallin dhe punishten e ka ndërtuar në banesën e këtij të fundit ku policia gjeti pjesë armësh, torno, presa e shumë mjete të tjera me të cilat përpunoheshin armët e zjarrit. Në një mjet në oborr të kësaj banese policia sekuestroi 8 pistoleta dhe 3 kallashnikovë.

Këtë të shtunë dy të arrestuarit dolën para gjykatës e cila i la në masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme