Qeveria shqiptare ka përcaktuar klimën elektorale në Holandë, si shkakun e vetëm që parlamenti i këtij vendi votoi një ditë më parë kërkesën drejtuar BE për pezullimin e vizave për qytetarët shqiptarë që lëvizin në hapësirën shengen.
“Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë në agjendën e partive në garë, s’kemi asnjë dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale”, thuhej në një deklaratë të ministrisë së Jashtme shqiptare.
Eshtë për t’u shënuar se në të gjitha rastet kur qeveria shqiptare është gjendur përgjegjëse për frenimin e vendit drejt integrimit europian, asnjëherë të vetme ajo nuk ka marrë mbi vete pjesën e dështimit që i takon. Eshtë folur për qarqe ekstremiste europiane, për islamofobi, për konjuktura elektorale. Eshtë folur për fajin e opozitës shqiptare që “shan Shqipërinë në gjuhë të huaj” në kancelaritë e Europës. Eshtë folur për deputetë e zyrtarë europianë që përdoren nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, e shumë e shumë të tjera. Madje (kjo mund të ndodhë vetëm në një vend si i ky i yni) kryeminstri Rama, një vit më barë, i detyroi shqiptarët të festojnë çeljen e negociatave pikërisht në ditën që kishte marrë refuzimin për to. Ai organizoi ceremoni zyrtare e dekoroi ambasadorët për kontributin e tyre në një akt fantazmë, që as kishte ndodhur e as pritet të ndodhë edhe sot. Më e keqja, jo vetëm rrogtarët e kryeministrit, por as ambasadorët e BE në Tiranë, nuk thanë asnjë fjalë për këtë komedi ku edhe ata vetë u shndërruan në personazhe qesharakë.
Votimi i parlamentin holandez, me një shumicë të madhe votash, nuk ishte i papritur për qeverinë shqiptare. Prej kohësh ishin dhënë sinjale të qarta se krimi shqiptar (kryesisht droga dhe trafiku i qënieve njerëzore), vitet e fundit, ishte bërë një kërcënim serioz për Holandën, Britaninë e Madhe e disa vende të tjera. Dhe këtu nuk është fjala, ashtu siç përpiqet ta paraqesë kryeministri Rama dhe veglat e tij të propagandës, për disa kriminelë shqiptarë që veprojnë në Holandë dhe të cilët duhen kapur e dënuar nga drejtësia e atij vendi. Ajo që Edi Rama nuk e thotë, është pikërisht ajo që ka të bëjë direkt me përgjegjësinë e qeverisjes së tij.
Problemi nuk janë kriminelët made in Albania që veprojnë në Holandë dhe vende të tjera të BE, por korruptimi i lartë dhe shndërrimi i Shqipërisë (siç e thoshte edhe raporti i Departamentit të Shtetit) në një qendër të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Edi Rama merret me deputetët holandezë që paskan halle elektorale dhe refuzon të shohë rrënjët e vërteta të atij votimi turpërues për çdo shiptar nga parlamenti i një vendi të BE. Dhe rrënjët gjendet në Tiranë e jo tek zgjedhjet europiane. Shërbimet e shumë vendeve perëndimore, mes të cilave dallojnë ato të NCA britanike, dëshmojnë me fakte dhe prova se portet dhe pikat kufitare shqiptare janë bërë destinacion kryesor i zbarkimit të kokainës që vjen direkt nga vendet e Amerikës Latine dhe heroinës që trafikohet nga Lindja, për t’u nisur më pas drejt vende të BE, përfshi edhe Holandën.
Agjensitë antikrim të shumë shteteve, përfshie edhe DEA amerikane, zotërojnë informacione të sakta se zyrtarë të lartë të policisë, madje edhe nivele qeveritare, jo vetëm nuk bëjnë asgjë për ta frenuar këtë fenomen, por në shumë raste bashkëpunojnë me grupet kriminale të trafikut të drogës. Në disa raporte, përfshi edhe atë të DASH, është theksuar disa herë se paratë e krimit, që sigurohen nëpërmjet aktivitetit kriminal në vende të BE, investohen në Shqipëri, e cila tashmë është shenjuar si një lavatriçe gjigande e pastrimit të parave të zeza.
Këto janë përgjegjësitë reale të qeverisë shqiptare, e cila në rolin e shenjtan budallait rreket t’i bindë shqiptarë se klima elektorale në Holandë apo ndikimi i armikut të brendshëm, po ua errëson sytë disa vendeve të BE për të mos parë progresin e madh që po bën Shqipëria. Edi Rama nuk mund të shndërrohet në viktimë të “klimave elektorale apo sabotimit të opozitës pa atdhe”, për sa kohë ka përgjegjësinë për katandisjen e vendit në place d’armes të trafikantëve dhe krimit të organizuar. Atij nuk po i kërkohet llogari pse nuk kapen kriminelët në Hollandë, por pse po lejon që droga të vërshejë në Shqipëri dhe prej andej në Europë, pa ndërmarrë asnjë operacion serioz për frenimin e krimit të organizuar. Edi Ramën nuk po e bën kush me faj pse një deputet holandez ka bindje kundër zgjerimit të BE apo sentimente për Lulzim Bashën, por përse qeveria, partia dhe administrata e tij janë shndërruar në vendstrehim për trafikantë ndërkombëtarë e deri vrasës në kërkim nga Interpoli.
Për këto, Edi Rama duhet të jetë kokëulur dhe të pranojë pjesën e tij të përgjegjësisë. Propaganda nga fajin e ka Saliu tek fajin e kanë shokët e Bashës në Holandë, nuk pi më ujë. Minsitri i Jashtëm në detyrë, që nuk la pa dalë në konferenca të jashtëzakonshme për shtyp për targa makinash e roje ambasadash, do të duhej të ishte shfaqur me zë dhe figurë pas votimit turpërues të parlamentit holandez. Shqiptarët janë shumë më tepër të shqetësuar për lirinë e tyre të lëvizjes se sa për lëvizjen e ca autoveturave me tabela CD. Mirëpo as kryeminstri e as zëvendësi i tij i jashtëm, nuk mund të flasin dot në publik. Sepse ata e dinë, se sado t’ia hedhin fajin klimës elektorale, votimi i djeshëm në Holandë ishte një dëshmi e qartë e dështimit të tyre. /lapsi
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...