Google ADS

PS-PD-LSI ndajnë me short komisionet

17:17 | 2 Shkurt 2019
Arbresh.info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hedh shortin për ndarjen e anëtarëve të KZAZ-ve sipas partive politike, ku PS ka 3 anëtarë, PD 2 anëtarë dhe LSI një. PDIU u nda e pakënaqur, ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet me short nga PS dhe PD

Lindita Bushgjokaj

KQZ vulos zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, nën administrimin e PS-PS-LSI, sipas kodit të vjetër elektoral. Në mbledhjen që u zhvillua paraditen e djeshme, kreu i KQZ-së, Klement Zguri bëri ndarjen e anëtarëve të KZAZ-së, sipas vullnetit të PS-PD-së duke përjashtuar partitë e tjera. Sipas këtij vendimi, socialistët dhe demokratët do të ndajnë mes tyre anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Dy partitë e mëdha do të ndajnë mes tyre edhe anëtarin e shtatë të KZAZ-ve, vetëm LSI nga partitë e tjera parlamentare do të ketë një anëtar në komisionet që do të administrojnë zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Në mbledhjen e KQZ –së, PD dhe LSI-së ishin të papërfaqësuara. “Tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; dy anëtarë propozohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë; një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim; anëtari i shtatë i KZAZ-ve do të propozohet në përputhje me rezultatet e shortit të hedhur në KQZ, ndërmjet Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë,- deklaroi rregullat kreu i KQZ-së, Klement Zguri. Partitë politike të sipërcituara, duhet të paraqesin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-ve jo më vonë se data 18.03.2019”. Por kjo ndarje e bërë në mbledhjen e KQZ-së la të pakënaqur përfaqësuesin e PDIU-së. “Kjo frymë e këtij ligji nuk zbërthehet në këtë proces që ne po bëjmë, të paktën këto 2-3 vitet e fundit dhe sot më duket sikur po i vihet vula e shkatërrimit të këtij procesi demokratik të zgjedhjeve”, tha Zguri. Sipas shortit të hedhur në mbledhjen e Komisionit, Partia Socialiste do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër çift, ndërsa Partia Demokratike do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek. Ndërkaq, kryetari i KQZ-së, Klement Zguri dhe nënkryetari Denar Biba debatuan në mbledhje në lidhje me buxhetin për edukimin e votuesve, që përfshin edhe spotet e reklamat që do të shpërndahen në media. “Propozimi yt ndryshon për 24 orë, kjo është e tmerrshme. Dje ramë dakord dhe ishte propozimi yt. Vjen tani dhe ma kthen. Minimalisht pak respekt, të na e thoshe më përpara”-tha Zguri.

Vendimet

KQZ vendosi të caktojë partitë politike që do të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), që do të ngrihen dhe funksionojnë për zgjedhjet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019, si më poshtë: “Për miratimin e strategjisë së trajnimit të komisionerëve zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30.06.2019’’. “Për miratimin e strategjisë për edukimin zgjedhor të shtetasve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30.06.2019”. “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarët e KZAZ-ve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30.06.2019”. KQZ vendosi të caktojë partitë politike që do të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), që do të ngrihen dhe funksionojnë për zgjedhjet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019, si më poshtë: Tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; Dy anëtarë propozohen nga Partia demokratike e Shqipërisë; Një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim;

Procedura përzgjedhjes së shortit

Dy shirita letre ku shkruhet “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe “Partia Demokratike e Shqipërisë”, mbyllen në dy gogla me formë dhe ngjyrë të njëjtë dhe vendosen në një enë transparente; Dy shirita letre ku shkruhet “KZAZ-të e numërtuara me numër tek” dhe shiriti tjetër “KZAZ-të e numërtuara me numër çift”, mbyllen në dy gogla me formë dhe ngjyrë të njëjtë dhe vendosen në një enë të dytë transparentë; Një nëpunës i administratës së KQZ-së, tërheq njërën nga goglat që ndodhen në enën e parë; Përfaqësuesi i partisë, emri i së cilës ndodhet në shiritin e letrës brenda goglës së tërhequr nga ena e parë, tërheq i pari njërën nga dy goglat të cilat ndodhen në enën e dytë. Në mungesë të përfaqësuesit të partisë përkatëse, KQZ-ja cakton një punonjës të administratës për të tërhequr njërën nga goglat që ndodhen në enën e dytë; Partisë, përfaqësuesi i së cilës tërhoqi goglën në enën e dytë, i lind e drejta të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve sipas përcaktimit në shiritin e letrës që ndodhet brenda goglës së tërhequr (tek ose çift). Partisë tjetër i lind e drejta të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve sipas përcaktimit në shiritin e letrës që ndodhet brenda goglës së mbetur. Rezultati i shortit të hedhur sipas kësaj procedure, do të përcaktojë 45 KZAZ ku anëtari i shtatë do të propozohet nga Partia Socialiste e Shqipërisë, dhe 45 KZAZ ku anëtari i shtatë do të propozohet nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Rregullorja

Gjatë mbledhjes së djeshme KQZ diskutoi edhe për rregullat që duhen ndjekur për kandidaturat dhe dokumentacionin brenda afateve të caktuara. “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013” Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve “. “Për miratimin e modeleve të kandidimit, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30.06.2019”. “Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit nga lista shumemërore për këshillat bashkiak, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Njoftimin e këshillave bashkiak për vazhdimin e procedurave, për dhënien e mandatit kandidatëve të listave shumemërore për plotësimin e vendeve vakant në këshillin bashkiak: Qarku Vlorë, Bashkia Konispol, z. Erlin Avdi. Qarku Gjirokastër, Bashkia Këlcyrë, z. Klaudio Qëndro.

Shorti, PS-PD duhet të paraqesin kandidaturat brenda 18 marsit

Partia Socialiste e Shqipërisë do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër çift. Partia Demokratike e Shqipërisë do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek. Anëtari i shtatë i KZAZ-ve do të propozohet në përputhje me rezultatet e shortit të hedhur në KQZ, ndërmjet Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë. Partitë duhet të paraqesin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-ve jo më vonë se data 18.03.2019 sipas vendimit “Për shpalljen e rezultatit të shortit për caktimin e partive që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30.06.2019”. Procedura e shortit, miratuar me vendimin e KQZ nr. 40, datë 16.02.2017, realizon për partitë kryesore të shumicës dhe opozitës parlamentare që do të propozojnë anëtarët e 7-të të KZAZ-ve, përmbushjen e kritereve të përcaktuara në nenin 29 të Kodit Zgjedhor: përzgjedhjen rastësore dhe shpërndarjen e barabartë në territorin zgjedhor. Për efekt të shortit, 90 zonat e administrimit zgjedhor mbajnë numërtim sipas përcaktimeve të bëra më parë nga një vendim i KQZ-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme