Partia Socialiste dhe opozita i kanë hapur rrugë SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt, duke rënë dakord për dhënien e autorizimit pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-ministrit.
Ka qenë PD që përmes kreut të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, ka prezantuar dhe dorëzuar raportin, i cili i rekomandon Këshillit të Mandateve heqjen e imunitetit me qëllim “dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”.
“5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, i rekomandojnë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar me kërkesën nr. 9431 Prot., datë 07.07.2023 të Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës së deputetit Arben Ahmetaj”, me qëllim për t’i hapur rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm në kuadër të procedimit penal nr. 277/1, të vitit 2022 për 3 veprat penale”- thuhet në raport, përcjell topchannel.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Partia Socialiste, duke dhënë autorizim për kërkesën e SPAK.
Të premten, sipas rregullores, dorëzohet fillimisht raporti dhe pastaj, në orën 12:00, do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për prezantimin e këtij raporti. Sakaq, ditën e hënë në 17:00 pritet të mbahet seanca plenare ku do të votohet raporti i Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të deputetit të Arben Ahmetajt.
Një ditë më parë, kreu i SPAK Altin Dumani dhe më pas prokurorja Enkeleda Millonai, i parashtruan Këshillit të gjitha faktet përmes të cilave mendojnë se Ahmetaj duhet të arrestohet. Për herë të parë, SPAK i kërkoi Kuvendit që kjo seancë të ishte me dyer të mbyllura, pasi në dosjen e konsideruar sekret përfshihen dhe emra të tjerë, gjë e kundërshtuar nga opozita.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit dy ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion. Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.
Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare, Prokuroria e Posaçme thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro. Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte deputetin Ahmetaj, asokohe numri dy i qeverisë, nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete.
Arben Ahmetaj dyshohet gjithashtu nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët. Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.
Gjermania dyshon se dy kabllo nënujore iu këputën qëllimshëm
Raketa amerikane godasin Rusinë, Meçollari: Integriteti terr...
Abdixhiku njofton për aderimin e ri, babain e futbollistit E...
Zgjedhjet politike të 2025, Presidenti Begaj nis konsultimet...
Logopedi s’u dënua për keqtrajtimin e 3-vjeçares me autizëm,...
UEFA njofton se kanë nisur procedurat për ndeshjen mes Ruman...