Protothema: Shqipëria heq termin “Çamëri”, Greqia heq “Epiri i Veriut”

01:27 | 3 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Pala shqiptare dhe pala greke duket se janë pranë zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve. Gazeta greke “Protothema” ka mësuar detaje rreth marrëveshjes së Greqisë me Shqipërinë. Sipas saj, bëhet fjalë për një marrëveshje paketë që synon të zgjidhë çështjet e hapura.

Marrëveshja pritet të bëhet publike në korrik, raporton “Protothema”, ku do të firmoset nga një takim i përbashkët mes kryeministrave Edi Rama dhe Alexi Tsipras.

Paketa e zgjidhjes së problemeve përmban heqjen e ligjit të luftës, heqjen e tarifave konsullore të dokumenteve qeveritare greke, hyrjen në fuqi të njohjes së patentave shqiptare, mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, ndarjen e zonave ekskluzive detare, heqjen e termave irredentiste nga tekstet shkollore shqiptare dhe varrezat për ushtarët grekë.

Shqipëria dhe Greqia do të firmosin gjithashtu një pakt të ri të miqësisë dhe bashkëpunimit. E përditshmja “Protothema” i mëshon faktit për Epirin e Veriut.

“Japin Epirin e Veriut për Çamërinë që nuk ekziston”, është titulli i këtij shkrimi. Sipas saj, pala greke ka pranuar që të heqë termin “Epiri i Veriut”, megjithatë kjo nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria nuk do të përdorë më termin Çamëria, shkruan gazeta greke.

Në të dyja rastet, thuhet në artikull, nuk do të ketë pretendime formale territoriale. Edhe për çështjen e pronave do të ketë një pakt, por nuk do të ketë bëjë me kërkesat çame për pretendime territoriale.

“Shumë nga këto prona të bllokuara nga ligji i luftës, janë në Janinë, Selanik dhe në disa zona të rajonit të Thesalisë. Sipas një vlerësimi jo zyrtar, vlera e tyre është rreth 15 milionë euro”,shkruan “Protothema”.

Gazeta greke sjell gjithashtu në vëmendje se këto pika janë dakordësuar gjatë takimeve të përbashkëta mes ministrave të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias; në nëntor 2017 në Kretë, në Janar 2018 në Korçë, në mars 2018 në Tiranë, në maj 2018 në Sounion dhe takimi më i fundit në ishullin Rodhos të premten e kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme