Në protestën e thirrur në Tiranë nga partitë opozitare, protestuesit u përleshën me policinë para bashkisë së kryeqytetit shqiptar. Protestuesit hodhën flakadanë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së bashkisë së Tiranës.
Protesta e 11 prillit u thirr nga Rithemelimi, grupimi më i madh i deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë brenda Partisë Demokratike, dhe Partia e Lirisë e ish-presidentit, Ilir Meta.
Përfaqësuesit e këtyre dy partive opozitare po kërkojnë largimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, dhe përballjen e tij me drejtësinë. Kjo është protesta e dytë që u mbajt brenda disa ditësh para bashkisë së Tiranës. Protestat u thirrën pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve bashkiakë nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tenderë.
Sipas opozitës, në këto akte korruptive që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme është përfshirë edhe Veliaj.
Këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak për të diskutuar në lidhje me arrestimin e këtyre zyrtarëve apo ish-zyrtarëve.
Protestës së thirrur nga opozita iu bashkuan përfaqësues të aleancës për Mbrojtjen e Teatrit si dhe banorë të disa prej zonave periferike të Tiranës, të cilët edhe më herët kanë kundërshtuar bashkinë e Tiranës në projektet e saj në këto zona.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit në fund të marsit arrestoi disa drejtorë dhe ish-drejtorë të bashkisë së Tiranës, ndërkaq ndaj disa të tjerëve lëshoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nën akuzat për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tenderë, lidhur me aferën e dyshuar të shoqërisë ‘5D konstruksion’.
Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme nxori 15 urdhra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, mes tyre në arrest me burg është drejtori i përgjithshëm i punëve publike në bashkinë e kryeqytetit, Taulant Tushe.
Protesta e 11 prillit u mbikëqyr nga një numër i madh i forcave të policisë, ndërsa pas përplasjeve dhe momenteve të tensionit, kordoni i policisë u përforcua edhe nga efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Pas arrestimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë, Veliaj deklaroi se akuzat e ngritura ndaj bashkëpunëtorëve të tij nuk e bëjnë të ndihet mirë, por akuzat duhet të provohen në gjykatë. Megjithatë, ai tha se nuk ka pasur asnjë përftim personal dhe nuk ka shkelur ligjin./Rel
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe