Google ADS

Protestë para Bashkisë së Tiranës

12:51 | 5 Prill 2024
A Z

Siç ishte njoftuar prej orës 11:00 ka nisur një protestë e organizuar nga Shoqëria Civile dhe nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës. Protesta u thirr pas hetimeve që ka nisur SPAK dhe ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë për korrupsion. Protestuesit kërkuan largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj ndërkohë që drejt objektit hodhën vezë dhe mollë.

Të pranishëm atje ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët u shprehën se tubimi nuk është organizuar prej tyre, por e kanë parë të udhës që t’i bashkohen asaj për ta mbështetur këtë kauzë. E pranishme ishte edhe Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Sigurisht që protesta dhe reagimi popullor do t’i shërbejë jo vetëm rrëzimit të këtij sistemi dhe këtij modeli që është një kancer për shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë për çeljen e rrugës së ndërtimit të një modeli që të jetë i qëndrueshëm për të gjithë ata që duan të jetojnë në Shqipëri, për të gjithë ata që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri. Kështu që unë jam me shpresë që kjo protestë do të mbështetet dhe do të ketë solidarizim nga masa e gjerë. Ky nuk është thjesht një kryebashkiak, ky është një kryebashkiak që nesër synon të jetë kryeministër. Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë biss, por një kopje të shëmtuar të tij, atëherë mos reagoni, vazhdoni dhe ky do të jetë modeli që do të predominojë. Por unë jam e bindur që do të jetë e kundërta. Ashtu siç këta njerëz janë ngritur për të dalë kundra kësaj grabitjeje, shumë të tjerë do t’i bashkohen kësaj kauze”, u shpreh ajo.

Gazetari Maksi Rama raportoi se para godinës së bashkisë janë vendosur forca të shumta policie që kanë krijuar një kordon sigurie. Po ashtu një prej rrugëve kryesore në qendër të kryeqytetit vijon e bllokuar prej disa minutash./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme