Google ADS

Protestë në Tiranë, betohen 4 deputetë të rinj

16:18 | 5 Mars 2019
Arbresh.info

Disa qindra protestues janë mbledhur të martën para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar largimin e Qeverisë, përderisa në sallë po mbahej seancë plenare e jashtëzakonshme.

Në këtë seancë në Parlament u betuan 4 deputetë të ri të partisë opozitare – Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën ishin në listën shumë-emërore pasuese të ish deputetëve që dogjën mandatet e tyre javë më parë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga foltorja e Kuvendit tha se kjo është e drejta e këtyre deputetëve.

“Ajo që ndodh sot është vijimi i një rrugë pa krye ku e vetmja gjë e re është një vendim politikisht vetëvrasës i udhëheqjes politike të opozitës. Dhe sot ne jemi këtu në kushtet kur ata janë larguar, një pjesë tjetër e opozitës ka zgjedhur dhe po zgjedhin që të vinë dhe të zënë vendet e tyre në Parlament. Është e drejta e tyre dhe është mënyra se si ata e shohin detyrën e zgjedhësve”, tha Rama.

Kryeministri, duke kritikuar veprimet e opozitës nga foltorja e Kuvendit, ritheksoi se Qeveria nuk do të pajtohet me kërkesat e opozitës duke thënë se “ky parlament është vendi ku na ka sjellë shumica e shqiptarëve dhe na kanë dhënë detyrën të qeverisim deri në vitin 2021”.

Protestuesit, të thirrur nga partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë brohoritur rrugëve të kryeqytetit të Tiranës “Rama ik”, ndërsa një pjesë e listës së deputetëve në pritje nga PD-ja për betim në Kuvend dorëzuan dorëheqjet e tyre në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë protestës tha se “Nuk ka Evropë me një Shqipëri si Kolumbi”, duke iu referuar kanabizimit të vendit.

“Sovrani e ka marrë vendimin, e ka kuptuar fare mirë prej javësh se ajo godinë nuk është godina e Kuvendit të Shqipërisë, por godina e kolerës së krimit dhe korrupsionit”, shtoi ai.

Opozita dhe protestuesit që u janë bashkuar kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie transitore, e cila do të krijonte kushtet për zgjedhje të parakohshme. Ata të martën u shpërndanë të qetë.

Kjo protestë është e katërta e organizuar nga partitë opozitare shqiptare. Protestat paraprake eskaluan në dhunë mes policisë dhe protestuesve, kur këta të fundit njëherë sulmuan godinën e Kryeministrisë, ndërsa në protestën tjetër tentuan të thyenin kordonin e policisë që e kishte rrethuar godinën e Kuvendit.

Protestat e dhunshme të javëve të kaluara në Tiranë janë kritikuar nga misionet diplomatike ndërkombëtare me seli në Shqipëri, të cilat thonë se protestat e dhunshme janë të papranueshme dhe i dëmtojnë proceset integruese të Shqipërisë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme