Protesta, Universiteti i Mjekësisë heq tarifat e shërbimeve për studentët

10:14 | 17 Dhjetor 2018
arbresh.info

Në ditën e 13 të protestës, pikërisht kur studentët kanë përshkallëzuar “revoltën” e tyre, madje duke i vendosur drynin e shirita disa prej fakulteteve në Tiranë, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë ka vendosur të mbështesë kërkesat e tyre.

Në një vendim të fundit të senatit të UM është rënë dakord që të hiqen të gjitha tarifat e shërbimeve për studentët.

Në mbledhjen e përbashkët me Bordin e Administrimit, Administratorin, Rektoratin, Dekanët dhe Drejtorët përkatës të Rektoratit, Senati shqyrtoi me përgjegjësi të lartë kërkesat e paraqitura nga Këshillat Studentore të UMT-së.

Në mbledhje u vendos:

1-Të mbështesë kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave te studimit. Senati Akademik pasi vlerësoi treguesit e buxhetit të vitit akademik 2018-2019 kërkon që efekti financiar që vjen nga ky reduktim të mbulohet nga granti i buxhetit të shtetit, pasi në të kundërt përgjysmimi i tarifave të studimeve, përballuar vetëm nga fondet e Universitetit do të rrezikonte qëndrueshmërinë financiare të institucionit dhe do të ndikonte negativisht në cilësinë akademike.

2-Bazuar në analizën financiare, Senati Akademik vendosi heqjen e gjithë tarifave të shërbimeve për studentët.

3-Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit i kërkoi çdo fakulteti të bëjë një analizë të plotë të kostove financiare për çdo program studimi dhe t’i paraqesë ato për vlerësim në Senatin Akademik dhe Bordin e Administrimit.

4-Përsa i përket kërkesave të tjera, krahas mbështetjes për plotësimin e menjëhershëm të shumë prej tyre, i kërkoi Rektoratit, Dekanateve dhe Departamenteve të ngrenë grupe të përbashkëta pune me Këshillat Studentore përkatëse, për të analizuar dhe adresuar problematikat e ngritura në këto ditë proteste dhe në vazhdim, në mënyrë që ato të gjejnë zgjidhje dhe të reflektohen në dokumentet zyrtare të universitetit.

5-Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit vendosi të realizojë një audit të gjërë të aktivitetit akademik dhe financiar të Fakulteteve përkatëse për 10 vitet e fundit dhe UMT-së prej ditës të konstituimit të tij me synim evidentimin e problematikave dhe korrigjimin apo përmirësimin e tyre.

6-Senati Akademik, në vlerësim edhe të kërkesave të studentëve vendosi të përmirësoje transparencën duke pasqyruar në faqen zyrtare të tij aktivitetin financiar të universitetit.

7-Senati Akademik duke vlerësuar kontributin e pedagogëve të UMT-së në formimin ndër vite të profesionistëve të shëndetit, i fton ata, në respektim të lirisë së tyre akademike, të marrin pjesë së bashku me studentët në një diskutim të gjërë për përmirësimin e cilësisë akademike dhe shkencore të arsimit mjekësor, pasi studentët dhe pedagogët përbëjnë dy kolonat bazë në të cilat mbështetet formimi universitar.

8-Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit përshëndesin çdo lëvizje studentore që i shërben përpjekjeve tona të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë mjekësor./TCh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme