25 qytetarë janë arrestuar dhe 130 po hetohen në gjendje të lirë pas protestës së djeshme në Tiranë për vrasjen e Klodian Rashës.
Sipas policisë shtetasit ushtruan dhunë dhe plagosën 3 punonjës të policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private.
Policia raporton se personat e dhunshëm që janë identifikuar nëpërmjet kamerave kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, në ish-Bllok, në rrugën “Ibrahim Rrugova”, Gjin Bue Shpata”, “Sulejman Delvina” dhe “Sami Frashëri. U shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore e subjektet private.
Protestat në kryeqytet dhe në qytete të ndryshme të vendit nisën si revoltë e qytetarëve pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie mëngjesin e 8 dhjetorit. Policia rikujton aktin normativ që ndalon grumbullimet me më shumë se 10 persona për shkak të pandemisë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Organizuan grumbullim dhe tubim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën 3 punonjës të Policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private, arrestohen në flagrancë 25 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 130 shtetas të tjerë. Rreth orës 18:00 të datës 11.12.2020, para godinës së Ministrisë së Brendshme nisi një tubim i paligjshëm i cili u përshkallëzua në veprime të dhunshme ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët ishin në shërbim. Më pas, pjesëmarrësit në tubim u ndanë në disa grupe dhe për rreth katër orë kanë ushtruar dhunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, në ish-Bllok, në rrugën “Ibrahim Rrugova”, Gjin Bue Shpata”, “Sulejman Delvina” dhe “Sami Frashëri”, ndaj bizneseve private dhe disa automjete. Gjithashtu, këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 3 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë. Strukturat Operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre. Më pas, në përfundim të veprimeve procedurale janë arrestuar në flagrancë 25 shtetas, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 130 të tjerë, për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme. Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji. Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye./TCH
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...