Protesta, Lushnja nuk i bashkohet, Vlora i përgjigjet pak

14:00 | 10 Prill 2018
Arbresh.info

Në Durrës për herë të parë janë ulur qepenat nga bizneset e vogla.

Biznesmenët shprehen të pakënaqur po dhe të painformuar për përfshirjen në skemën e TVSH-së dhe pasojat e saj.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në të gjithë Durrësin janë 8 mijë biznese të vogla që përfshihen në këtë skemë.

Në Fieri rreth 100 subjekte tregtare në pedonalen e re kanë ulur qepenat për rreth një orë duke u solidarizuar me thirrjen për protestën ndaj skemës së TVSH.

Protesta e tregtarëve do të vazhdojë ditën e hënë përpara prefekturës së Fierit.

Në Korçë të gjithë tregëtarët e zonës së tregut maqedonas kanë mbyllur për një orë bizneset e tyre

Sipas të dhënave në gjithë qarkun e Korçës nga 6700 biznese të vogla vetëm 600 prej tyre kalojnë në skemën e TVSH.

Edhe tregtarët e tregut të Zdrales në Shkodër që është dhe tregu më i madh i veshjeve në qytet, iu bashkuan protestës. Tregtarët për një orë kanë mbajtur të bllokuar hyrjet e tregut .

Në mbështetje të tregtarëve të vegjël në Shkodër ka dalë dhe sindikata e pavarur e punëtoreve

Megjithatë pati edhe qytete ku solidarizimi ishte i ulët apo nuk u vu re aspak.

As tregtarët e Elbasanit nuk i janë bashkëngjitur sot protestës një orëshe për mbylljen e qepenave. Vetë tregtarët, pas kamerave thonë se nuk kishin dijeni për organizimin por ka edhe nga ata që nuk shpresojnë se me protesta mund të arrijnë diçka

Në Vlorë pak biznese iu përgjigjën thirrjes për mbylljen e dyqaneve dhe ato kryesisht në rrugët dytësore të qytetit të Vlorës, ndërsa bulevardi kryesor të gjitha bizneset qendruan hapur.

Një numër i kufizuar biznesesh të vogla iu përgjigjën në Gjirokastër thirrjes kombëtare për protestë duke mbyllur qepenat e njësive për pak minuta.

Tregëtarët në një prej rrugëve kryesore të qytetit në lagjen “18 Shtatori” ishin të vetmit që simbolikisht protestuan. Jashtë kamerave përfaqësuesit e biznesit të vogël thonë se ndihen të frikësuar prej kontrolleve dhe ndërshkimeve të administratës tatimore në rast dhe do të kundërshtojnë hapur vendimin për pagesën e TVSH-së.

Në Gjirokastër rreth 1250 biznese preken prej përfshirjes në skemën me TVSH.

Edhe në Lushnje bizneset nuk e kanë mbështetur protestën një orëshe për mbylljen e dyqaneve, kundër skemës së TVSH-së.

Biznesmenët e Lushnjës kanë vazhduar ritmin e tyre të punës, teksa thonë se nuk dinin gjë për protestën./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme