Google ADS

Protesta e opozitës, SHBA-BE: Dënojmë aktet e dhunës

22:23 | 19 Prill 2024
K.B

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dënuan sot dhunën gjatë protestës së sotme të opozitës në qendër të Tiranës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në një reagim theksoi se, aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në një reagim të Ambasadës amerikane në Tiranë.

Ndërsa Delegacioni i BE theksoi në reagim se, akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, nënvizon Delegacioni i BE.

Edhe ambasada e Britanisë së Bashkuar reagoi për protestën e opozitës, duke theksuar se skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit.

“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike./atsh

Të ngjashme