Protesta e opozitës, degët e PD organizojnë transportin e pjesëmarrësve

10:59 | 13 Maj 2017
Arbresh.info

Mbështetësit e Partisë Demokratike u nisën në orët e mëngjesit drejt kryeqytetit, për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Nga qytetet kryesore të vendit, protestuesit, kishin siguruar transportin drejt Tiranës kryesisht me autobusë.

Të parët që u nisën drejt Tiranës, ishin mbështetësit e Partisë Demokratike nga qytetet e jugut. Nga Vlora u nisën disa autobusë, ndërsa një pjesë e mirë e protestuesve u nisën drejt kryeqytetit edhe me automjetet personale.

Forcat e policisë në disa raste zhvilluan kontrolle ndaj protestuesve dhe automjeteve përpara nisjes, si pjesë e planit të bërë publik një ditë më parë, për ruajtjen e rendit në kuadër të protestës së Partisë Demokratike.

Policia ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat për organizimin e protestës që do të nisë në orën 12:00, ndërsa ka bërë të ditur edhe rrugët e bllokuara.

“Ndalohët parkimin dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë:
– nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës – Rrruga “Papa Gjon Pali II”, nga Sheshi “Italia” deri tek kryqëzimi në Bulevardin “Bajram Curri”.
– nga ora 11:30 deri në përfundim të protestës – Sheshi “Skënderbej”, Rruga “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek Kryqëzimi me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek Kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova”, – Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri tek kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit””.

Ndonëse opozita ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet apo situatat e dhunës.

Rreth 2 mijë efektivë nga 6 komisariatet e kryeqytetit do të jenë në terren ndërkohë që në gatishmëri do të kalojnë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA.

Për të ulur tensionet, kordonet me police femra siç jemi mësuar të shikojnë në protesta të ngjashme, nuk pritet të mungojnë as paraditen e së shtunës.

/ Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme