Protesta e opozitës, 1500 forca policie në gadishmëri

09:42 | 27 Janar 2018
Arbresh.info

Opozita nis mesditën e sotme protestën e paralajmëruar më herët, kundër qeverisë Rama dhe kapjes së saj nga krimi. Policia thotë se ora 16:00 është njoftuar si afati final i saj, ndërsa në gatishmëri do të jenë rreth 1500 forca.

Një dron i fuqishëm do të vëzhgojë nga ajri dhe ekspertët e vendeve partnere nga Ministria e Brendshme.Burimet thanë se në rrugë operative policia ka informacione për mundësi incidentesh. Kjo nuk reflektohet në njoftimin zyrtar, por aty bëhet thirrje për mbështetje ndaj policisë dhe për distancim nga individët me prirje të dhunshme, shkruan Top Channel.

Si zakonisht, ambasada e SHBA-së bëri thirrje që shtetasit amerikanë të kenë kujdes e të shmangin vendin ku do protestohet. Por organizatorët premtojnë protestë paqësore.

“Ne të gjithë do të jemi në këtë protestë. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë! Do të jetë një protestë madhështore popullore”, tha Basha.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mbajnë telefonat me vete, të filmojnë çdo provokator, të jenë të kujdesshëm, por edhe ne vetë do të marrim masa për të mos qenë pre e provokimeve”, deklaroi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Basha dhe Kryemadhi i paraprinë protestës me tur mobilizues në bazë. Partia Demokratike thirrjen e shtriu dhe në rrjetet sociale me disa spote, ku ilustron akuzat për varfëri, pabarazi, korrupsion, krim në politikë dhe kapje të drejtësisë; të gjitha këto për të motivuar kërkesën finale të opozitës për një qeveri antimafia, ndaj në podiumin para Kryeministrisë nuk do të ngjiten vetëm kryetarët e partive, por edhe qytetarët./Top Channel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme