Google ADS

Prokuroria nis hetimet për vdekjen e të miturit në Korçë

13:15 | 9 Janar 2025
R J

Policia e Korçës ka reaguar në lidhje me vdekjen e të miturit nga fshati Pocestë i Maliqit, i cili humbi jetën në QSUT ku po trajtohej për simptoma gripi dhe Covid-i.

Sipas Policisë së Korçës, 14-vjeçari ka humbur jetën për shkaqe natyrore në QSUT, pasi ka pësuar arrest kardiak, transmeton klankosova.tv.

”Më datë 08.01.2025, në QSUT, Tiranë, ka humbur jetën, një 14-vjeçar, banues në fshatin Pocestë, Maliq. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë në lidhje me humbjen tragjike të jetës së fëmijës.

Lidhur me rastin reagoi të mërkurën edhe QSUT, ku përmes një njoftimi për media bëri me dije se i mituri u diagnostikua me miokardit akut.

Familjarët e të miturit kanë deklaruar jashtë kamerave se djali i tyre ka qenë i shëndetshëm dhe nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë. Ata shprehen se djali ishte aktiv dhe merrej me aktivitete sportive.

Sipas deklaratave të familjarëve, në fund të dhjetorit, djali ishte dërguar në spitalin e Korçës me simptoma të gripit, përfshirë të vjella dhe temperaturë të lartë, dhe ishte trajtuar në reanimacion.

Pas përkeqësimit të gjendjes, sipas euronews.al, ditën e martë ai ishte transportuar me urgjencë në spitalin e Tiranës, ku ishte shtruar në pavionin e Covid-it, ndërkohë që familjarët kishin kërkuar që ai të ndiqej në reanimacion.

Ata shpjegojnë se, pasi djali kishte filluar të kishte të vjella të pandërprera, ndërroi jetë pas komplikacioneve në zemër.

Të ngjashme