Google ADS

Prokuroria kundër Ramës: Deklarime si të shkruara nga partitë

18:31 | 23 Tetor 2017
Arbresh.info

Prokuroria e Krimeve të Rënda reagoi pak minuta pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama për Tahirin. Prokurorët thonë se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe as nuk mund ta intimidojnë aktivitetin hetimor të prokurorisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda këmbëngul në qëndrimin dhe vlerësimin se ekzistojnë të gjitha kushtet dhe rrethanat ligjore për të cilat është i nevojshëm arrestimi i Tahirit.

“Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, paraditen e së hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë: Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika”, lexohet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria i referohet rastit të Kroacisë, ku hetimet çuan deri në dënimin e ish-kryeministrit Ivo Sanader, ku gjykata e Zagrebit në prill të vitit 2017, e dënoi me 4 vjet e gjysmë heqje lirie.

“Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e më tej me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende si Rumania”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krime të Rënda.

Edi Rama reagoi menjëherë, duke mohuar akuzën se ka bërë përpjekje për të intimiduar organin e akuzës, duke thënë se ka dhënë opinionin e grupit parlamentar: “Organi i akuzës as ka detyrën dhe as ia lejon etika e funksionit të vet të ushqejë debatet politike me komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike. Ligjvënësit nuk janë noterë të kërkesave të organit të akuzës, por kanë detyrimin kushtetues t’i lëxojnë ato, të dëgjojnë sqarimet e përfaqësuesve të organit në fjalë dhe padiskutim, të gjykojnë mbi to. Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon Kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut. Duke nxitur një hetim sa më të shpejtë, serioz dhe shterues për çështjen që lidhet me Saimir Tahirin si dhe duke besuar sinqerisht se me pranimin e kërkesës së Prokurorisë nga ana e saj, shumica parlamentare i ka dhënë organit të akuzës një mbështetje të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimit, i uroj këtij organi punë të mbarë”.

Në një zë, edhe opozita e bashkuar i dënoi akuzat e kryeministrit ndaj Prokurorisë. Lulzim Basha kërkoi ndërhyrjen e BE dhe SHBA: “U bëj thirrje Komisionit të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe partnerëve të tjerë perëndimore që kontribuan për hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi, të bëjnë presion ndaj kryeministrit dhe shumicës qeverisëse që të ndërpresin menjëherë këtë fushatë kërcënimesh dhe presioni ndaj drejtësisë, e cila ka për qëllim gjunjëzimin e drejtësisë dhe garantimin e pandëshkueshëmërisë së politikanëve të ekspozuar publikisht si të lidhur me krimin. Nëse qeveria do të lejohet të shantazhojë, kërcënojë dhe frikësojë drejtësinë, korrupsioni dhe krimi në Shqipëri do të rritet më tej”.

Ndërsa Monika Kryemadhi tha: “Shqiptarët prisnin më të paktin veprim që Kryeministri i tyre duhet të bënte, të lejonte drejtësinë të zbardhte të vërtetën. Ata panë sot Kryeministrin shqiptar që shndërrohej në një mburojë të krimit. Fjala e tij sot ishte një dëshmi publike e strategjisë së tij për ta kthyer drejtësinë shqiptare në një zgjatim të kriminelëve dhe jo në një institucion lufte ballore kundër krimit dhe korrupsionit dhe një drejtësi që të jetë në shërbim të qytetarëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme