Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) i ka kërkuar të martën Kuvendit të Shqipërisë t’ia heqë imunitetin e deputetit ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, pasi ai e kishte shpërfillur vendimin e saj paraprak për t’u paraqitur në prokurori gjatë hetimit ndaj tij.
SPAK-u kërkon që Berishës t’i zëvendësohet masa e deritanishme për “detyrim paraqitje” me masën e arrestit shtëpiak.
Prokuroria ia ndaloi ish-liderit shqiptar edhe largimin nga shteti, pasi është duke u hetuar nën dyshimet për “korrupsion pasiv” në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Berisha ka thënë se do ta nderojë çfarëdo vendimi që merr Kuvendi për kërkesën e prokurorëve.
“Çfarëdo vendimi pas autorizimit të Kuvendit do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im i përsëritur ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit”, tha Berisha.
Pritet që kryetarja e Kuvendit të njoftojë anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe të thërrasë mbledhjen e këtij Këshilli për ta shqyrtuar kërkesën e prokurorëve.
Sipas procedurës parlamentare, edhe vetë Berisha thirret të jetë pjesë e mbledhjes për të raportuar mbi rastin. Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli ka dy javë kohë për ta hartuar raportin të cilin pastaj ia dërgon Kuvendit për ta votuar.
Më 22 tetor, SPAK-u deklaroi se Berisha dyshohet për “korrupsion pasiv”.
Berisha i ka mohuar akuzat.
Në të njëjtën ditë u arrestua dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, por më pas masa e sigurisë ndaj tij u zbut në arrest shtëpiak.
Hetimet nga SPAK-u nisën pas një kallëzimi të dorëzuar në vitin 2020 nga Taulant Balla, tani ministër i Brendshëm. Në kallëzim theksohej se “Jamarbër Malltezi privatizoi kompleksin Partizani në mënyrë të paligjshme me një shumë rreth 100 mijë euro, ndërsa në këtë zonë tashmë janë ngritur disa pallate për banim. Kjo u arrit përmes vendimeve favorizuese të Qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha”.
Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008 dhe deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth 22 mijë metra katrorë i përkisnin 64 trashëgimtarëve të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi arriti të marrë 35 për qind të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore.
Sipas padisë së dorëzuar në SPAK, kjo është bërë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës. Në atë sipërfaqe të përfituar, Jamarbër Malltezi së bashku me ortakun e tij Fatmir Bektashi, kanë ndërtuar disa kulla./REL
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...