Prokuroria kërkon 10 vjet burg për iranianin që përgjonte muxhahedinët në Tiranë

11:13 | 12 Tetor 2022
A. B.

Prokuroria e Posaçme në Shqipëri (SPAK) ka kërkuar 10 vite burg për iranianin Bijon Poolandrag, të akuzuar se përgjonte komunitetin e muxhahedinëve në Shqipëri.

SPAK kërkoi 15 vite burgim, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar, pretenca përfundimtare zbritet në 10 vite.

Iraniani akuzohet se ka hapur një llogari “Telegram” duke përdorur numrin telefonik të një të njohure të tij shqiptare, pa dijeninë e saj.

Më tej, përmes aplikacionit ka bërë komunikime të shumta me shtetas të huaj. Ai akuzohet për “përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, “keqpërdorim i pajisjeve” dhe “ndërhyrje në sistemet kompjuterike”.

45-vjeçari u arrestua në tetor të vitit 2020 nga policia shqiptare. Gjatë kontrollit të banesës 45-vjecarit iu gjetën 4 telefona celularë, një USB, 3 dokumente udhëtimi, 10 karta sim dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Gjyqi ndaj tij vjen në një moment kur Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve tona në korrik dhe shtator të këtij viti. Shqipëria akuzon Republikën Islamike se ka sponsorizuar këto sulme. /A2 CNN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme