Google ADS

Prokuroria e Tiranës po heton implikimin e një rrjeti rus në skandalin e pagave

07:45 | 8 Janar 2022
Trina Galanxhi

Prokuroria e Tiranës po heton implikimin e një rrjeti rus në skandalin e publikimit të pagave.

Lidhur me çështjen në fjalë deri tani janë arrestuar katër persona, mes të cilëve njëri rezulton të ketë lidhje me një kompani ruse që operon në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Endri Ikonomin, i cili është drejtor i kompanisë ‘Credit 2 All’ dhe bashkëpunon me kompaninë Digital Finance International, që është pjesë e Finstar Financial Group.

Kjo e fundit është në pronësi të miliarderit rus Oleg Viktorovich Boyko. 57-vjeçari është një nga personat më të pasur të Rusisë dhe sipas agjencive amerikane të sigurisë dhe rezulton të ketë lidhje me qeverinë dhe inteligjencën ruse si dhe me krimin e organizuar.

Së fundmi në historinë e skandalit të publikimit të listës së pagave kanë dalë edhe dy emra të tjerë. Sipas Endri Ikonomit, ai pasi ka marrë listëpagesat nga dy IT, Eni Qirjako e Andi Agaraj, ua ka shitur ato dy personave të tjerë, Elvis Matajt dhe I. Ahmatit.

Elvis Mata rezulton të jetë dëshmitar në çështjen CEZ-DIA në rolin e ish-drejtorit të DIA-s.

Të arrestuarit e tjerë për skandalin e publikimit të pagave janë Eni Qirjako, specialiste IT-je në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Andi Agaraj, specialist IT-je në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve si dhe Klodian Sota, i punësuar si menaxher pranë kompanisë private ‘SMART Collection’. Kompania në fjalë mbledh detyrimet e prapambetura dhe kreditë e këqija për llogari të bankave të nivelit të dytë.

Megjithatë prokuroria e Tiranës po heton veçanërisht në pistën e implikimit rus në këtë skandal nëpërmjet Endri Ikonomit./ Hashtag.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme