Prokuroria e Katanias mbyll hetimet për ish – ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Televizioni Klan disponon dosjen e plotë me hetimin e kryer nga Prokuroria e Antimafias në Itali dhe vendimin e marrë nga Gjykata e Katanias.
Në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Tv Klan, rezulton se Tahiri është vënë nën hetim nga Prokuroria e Antimafias Italiane në dt. 27.10.2017, vetëm 3 ditë pasi doli në konferencën për shtyp ku nxorri dokumentin zyrtar, sipas të cilit nuk ishte në hetim në Itali e ku njëkohësisht deklaroi se ai vetë do të kërkonte përmes avokatëve të tij që krahas hetimit të hapur ndaj tij në Shqipëri, të hetohej edhe në Itali.
Në dt 15.03.2018, në përfundim të hetimeve që zgjatën thuajse 5 muaj, Prokuroria e Antimafies në Itali i ka kërkuar Gjykatës Italiane të mbyllë hetimet me arsyetimin se “nuk ka prova dhe fakte” që implikojnë ish – ministrin Tahiri.
“Për sa më sipër, megjithëse nuk ka dyshim për citimet e bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara, veçanërisht ku përmend se ka për t’i dhënë 30.000 Euro SAIMIR –it, ose në pjesët ku flet për blerjen e bizhuterive për bashkëshorten dhe nënë e Saimir Tahirit, në vlerësimin e prokurorisë, në mungesë të provave të vlefshme nuk rezulton të ketë elementë të përshtatshëm për të mbështetur akuzën në fjalë. Në bazë nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale -125 të dekretit legjislativ 217/1989, kërkon që gjyqtari i hetimeve paraprake në këtë rast të vendosë për arkivimin e këtij procedimi dhe për rrjedhojë të urdhërojë kthimin e akteve të kësaj zyre”.
Në 19.03.2018, vetë Prokurori i Republikës Carmelo Petralia konfirmon kërkesën e Prokurorit të Antimafias Andrea Bonomo për mbylljen e hetimeve ndaj Tahirit duke i hapur rrugë kështu vendimit të Gjykatës.
Në dt. 5.10.2018, Gjykata Italiane e Catanias, me gjyqtare Loredana Pezzino, bazuar në kërkesën e Prokurorëve të Antimafias, ka marrë vendim për mbylljen e hetimit ku theksohet se:
“Gjyqtari, mbi bazën e kërkesës së mësipërme të pushimit, e cila pranohet, duke iu përmbajtur në mënyrë të plotë arsyetimit:
Në bazë të neneve 409-411 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi pushimin e procedimit objekt shqyrtimi dhe kthimin e akteve Prokurorit, duke autorizuar që nga ky moment lëshimin e kopjes së këtij urdhri si dhe të akteve të fashikullit për të hetuarit, personat e dëmtuar si dhe mbrojtësve të emëruar apo të pajisur me prokurë”.
Në dosjen që disponon Tv Klan, rezulton se Prokuroria Antimafia e Catanias ka verifikuar gjithçka dilnin si të dhëna nga përgjimet e Habilajve, veçanërisht pjesët që dukej se implikonin Saimir Tahirin, si blerja e bizhuterive për familjarët e Tahirit, blerja e një kostumi për vetë Tahirin dhe verifikimin përmes Interpolit të të gjitha hyrje – daljeve të Tahirit në zonën Shengen dhe mundësinë që në ndonjë prej udhëtimeve të ishte i shoqëruar me Habilajt.
Në përfundim të shqyrtimit të provave, rezulton se Hetimet e Prokurorisë Antimafia të Catania për çështjet që përmendeshin në përgjimet e Habilajve, kanë dhënë rezultat negativ.
Si në rastin e bizhuterive ashtu dhe të kostumit, siç përmendej në përgjimet e Habilajve, Prokuroria Antimafia e Katanias ka sekuestruar veç faturave fiskale edhe librin ditor të shitjeve, si dhe kamerat e sigurisë në dyqanet e përmendura dhe tabulatet telefonike të pronarëve të dyqaneve përkatëse.
Gjithashtu veç pronarëve, janë pyetur edhe shitësit në këto dyqane, ndërkohë që për hyrje daljet e Tahirit në zonën Shengen, verifikimet i ka bërë Guardia di Finanza nëpërmjet Interpolit.
Në dosje, të gjitha verifikimet kanë dhënë rezultat negativ, çka ka detyruar Prokurorinë e Antimafias e më pas Gjykatën që t’i mbyllë hetimet për ish – ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili po hetohet edhe në Shqipëri, për implikim të tij në trafik narkotikësh me grupin e Habilajve./tv Klan
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...