Google ADS

Profesori amerikan: Dëbimi i qytetarëve turq nga Shqipëria, shkelje e të drejtave të njeriut

20:38 | 25 Janar 2020
A. B.

Një profesor i Universitetit të Nju Jorkut thotë se dëbimi i qytetarëve turq nga Shqipëria bie ndesh me parimet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.

Alon Ben-Meir, një studiues në Qendrën për Çështje Globale të këtij Universitetit tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se udhëheqësit e vendeve të Ballkanit duhet të vendosin se në ç’kamp e shohin veten pas 10-15 vjetësh, por nga ana tjetër pranoi se është gabim nga ana e BE-së që të mos u hapë dyert këtyre vendeve. Në intervistën me Zërin e Amerikës, Prof. Ben-Meir tha gjithashtu se Serbia duhet të pranojë faktin që Kosova është e pavarur dhe Kosova të heqë tarifat.

Zëri i Amerikës: Le të fillojmë me një pyetje nga Shqipëria dhe konkretisht me dëbimin e shtetasit turk Harun Çelik. Duket se vetë ligjet e Shqipërisë nuk u respektuan, kur iu mohua azili dhe ankimimi. Cili është mendimi juaj?

Alon Ben-Meir: Mendoj se është për të ardhur keq që kjo po ndodh në Shqipëri. Në parim, të dëbosh dikë që po kërkon azil, është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Këta njerëz po ikin nga Turqia, sepse po përballen me një persekutim të ashpër në vendin e tyre, kështuqë po përpiqen për një jetë të re diku tjetër dhe kur ekstradohen kjo shkakton stres të jashtëzakonshëm, dhimbje, agoni tek familjet, të tjerë dhe të mos përmendim faktin që Shqipëria do që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe në këtë rast kemi një vend që po shkel një nga parimet më bazë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe kjo nuk është gjë e mirë për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Ky nuk është rasti i parë që ndodh një gjë e tillë. Si i shpjegoni këto veprime?

Alon Ben-Meir: Mendoj se Erdogani është mjeshtër në ushtrimin e presionit ndaj këtyre vendeve shumë më të vogla, që në një farë mase kanë nevojë për mbështetje në disa fusha, kështuqë ai po ushtron presion të jashtëzakonshëm ndaj tyre, duke thënë ‘nëse i dorëzoni këta njerëz, do merrni këtë ose atë nga ana jonë si këmbim’. Dhe mendoj se ky është problem. Dhe ata (udhëheqësit e këtyre vendeve) duhet të mendojnë se cila është strategjia e tyre, ku duan ta shohin veten 10-15, madje dhe pesë vjet më pas. Duhet të marrin vendimin nëse do të bashkohen me kampin turk apo të BE-së, dhe duhet ta bëjnë këtë zgjedhje parimisht. Nëse duan të bëhen anëtarë të BE-së, duhet të fillojnë të respektojnë të gjitha këto parime të BE-së, dhe të drejtat e njeriut janë parim themelor për t’u anëtarësuar në BE.

Zëri i Amerikës: Meqë po flasim për Bashkimin Evropian, si do t’i përgjigjeshit argumentit se BE-ja vetë nuk po tregon vullnetin për t’u hapur dyert vendeve si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe këta udhëheqës mund të thonë që kanë nevojë për partneritete strategjike që BE-ja nuk po i ofron?

Alon Ben-Meir: Është një gjë të kesh dëshirë të bëhesh anëtar i Bashkimit Evropian dhe tjetër gjë të shkelësh të drejtat e njeriut. Por përsa i takon këtij vendimi, BE-ja po gabon. Procesi i integrimit është shumë i gjatë, po flasim për mbi 30 kapituj për t’u negociuar. Do të duhen vite të arrihet në atë pikë. Pa dyshim që BE-ja ka probleme të brendshme, si për shembull Brexit. Procesi i vendimmarrjes së BE-së, është jashtëzakonisht i ngadaltë dhe i papranueshëm. (Presidenti francez Emmanuel) Macron për shembull, po thotë: ‘le të rregullojmë punët tona më parë’. Dhe përgjigjia ime është ‘në rregull, këto reforma brenda institucioneve janë të nevojshme, por ndërkohë mund të fillojë procesi për këto vende që duan aq shumë të anëtarësohen’. Ky proces do të dojë vite të tëra përpara se ata të integrohen në BE. Dhe ky është gabimi, që nuk e fillojnë procesin që do t’u jepte shpresën që një ditë do të anëtarësohen vendeve si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Zëri i Amerikës: Përfaqësuesi i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, Rick Grenell bëri thirrje për heqjen e tarifave nga Kosova dhe nga ana tjetër që Serbia të ndalë fushatën e tërheqjes së njohjeve. Sa realiste është një gjë e tillë dhe si e shihni situatën që e bën rifillimin e bisedimeve të vështirë?

Alon Ben-Meir: Serbia duhet të arrijë një përfundim të thjeshtë, bazë: Kosova është një fakt i jetës, është një vend i pavarur. E kanë njohur afro 100 vende. Rreth 15 vende e kanë tërhequr njohjen, për shkak të presionit të Serbisë. Serbia duhet t’i japë fund kësaj fushate. Nga ana tjetër Kosova duhet të heqë tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë. Rifilimi i fluturimeve, që u realizua me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, është një fillim i mbarë. Ky është këndvështrimi që duhet të ketë Kosova. Të dyja palët duhet t’i ndërmarrin këto hapa, duke e njohur realitetin. Janë fqinjë, duhet të marrin e japin me njëri-tjetrin. Duhet ta pranojnë se disa realitete në terren që ata nuk mund t’i ndryshojnë. Dhe kur të arrijnë në atë pikë, veçanërisht Serbia, mendoj se do të ketë përparim.

Zëri i Amerikës: Kosova po përjeton edhe një ngecje politike, pasi nuk ka ende një marrëveshje për qeverinë. Si e shihni gjendjen?

Alon Ben-Meir: Mendoj se është diçka e keqe. Populli votoi për atë që donte, që kërkonte: një qeveri të pastër, që do t’i bënte gjërat ndryshe. Dhe kanë kaluar tre-katër muaj dhe nuk ka ende qeveri. Është thjesht e papranueshme. Duhet të vendosin se çfarë duhet të bëjnë. Dhe diskutimet mes dy palëve nuk janë as për politika, janë më shumë për çështje personaliteti dhe është për të ardhur keq. Duhet t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet personale. Mendoj se populli i Kosovës do që të shohë që t’i jepet fund këtij bllokimi, sepse duan të vazhdojnë jetën e tyre, duan një qeveri funksionale, një qeveri të pastër dhe është e drejta e qytetarëve që ta kërkojnë një gjë të tillë dhe nëse nuk e arrijnë këtë, duhet të shpallin zgjedhje të reja.

Zëri i Amerikës: Si e shihni rolin e Shteteve të Bashkuara në rajon? Me emërimin e ambassadorit Grenell, duket se angazhimi amerikan është rritur…

Alon Ben-Meir: Mendoj se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë angazhimin e tyre. Nuk dua të nënvlerësoj atë që po bën BE-ja, madje duhet të bëjë më shumë se Shtetet e Bashkuara, por përpjekjet amerikane janë të rëndësishme. Ata e shohin Amerikën si fuqinë më të madhe dhe kanë më shumë afërsi me të, edhe sesa me Evropën. Amerika duhet të vazhdojë të luajë këtë rol për të çuar përpara interesat e saj, si edhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Balkanit në tërësi nga perspektiva e sigurisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme