Princ Leka II, ka uruar të gjithë shqiptarët 28 Nëntorin, duke bërë thirrje për unitet të brendshëm kombëtar.
Princ Leka përmendi tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar, COVID-19 dhe konfliketet e vazhdueshme politike ku tha se është e vështirë të jesh entuziast.
“Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, varfërisë së thellë, krizës së vazhdueshme shëndetësore të covid-19 dhe konflikteve të vazhdueshme gërryese politike, është e vështirë të jesh entuziast! Por e keqja duhet të sfidohet dhe nuk duhet ti dorëzohemi, të paktën për brezat e ardhshëm të cilët do e jetojnë atdheun tonë të bukur, Shqipërinë”.
Princ Leka në urim nuk la pa përmendur edhe të akuzuarit e UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Tashmë më tepër se kurrë na duhet të forcojmë unitetin e brendshëm kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-së, të ndihemi krenarë për heronjtë e asaj lufte, shumë prej të cilëve për turp e fat të keq kanë mbetur për bukën e gojës, të vlerësojmë sakrificat e atyre që u përballën deri në vetmohim për ti dhënë Kosovës lirinë! Ndërkohë duhet ti kujtojmë Gjykatës Speciale se në bankën e të akuzuarve duhet të jenë ata që me të vërtetë planifikuan dhe ekzekutuan genocid dhe krime makabre ndaj shqiptarëve autoktonë”.
Urimi i plotë i Princ Leka:
Të dashur motra dhe vellezër,
Gëzuar 28 Nëntorin, ditën që ne festojmë lirinë dhe pavarësinë tonë si një komb i qytetëruar, me dëshirën, sytë dhe mendjen të drejtuar nga Perëndimi.
Bashkë me festën e flamurit nuk mund të mos përmend 22 Nëntorin, përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Është gjuha e bukur dhe e ëmbël shqipe ajo që i bashkon të gjitha trevat shqiptare e që na obligon të jemi më të përgjegjshëm e ta duam edhe më shumë Atdheun tonë.
Si çdo 28 Nëntor, shkruaj një mesazh i cili pasqyron realitetet dhe sfidat me të cilat jemi përballur gjatë vitit. Por ndërsa po ju drejtohem edhe këtë herë, keqardhja rëndohet akoma më shumë, pasi vit pas viti ballafaqohemi me të njëjtat sfida dhe probleme, të cilat me vështirësi gjejnë zgjidhje apo në shumë raste thellohen më tepër. Kuptohet se kjo ndjeshmëri është më e dukshme edhe prej rolit tim si prind i ri që jeton në Shqipërinë tonë.
Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, varfërisë së thellë, krizës së vazhdueshme shëndetësore të covid-19 dhe konflikteve të vazhdueshme gërryese politike, është e vështirë të jesh entuziast! Por e keqja duhet të sfidohet dhe nuk duhet ti dorëzohemi, të paktën për brezat e ardhshëm të cilët do e jetojnë atdheun tonë të bukur, Shqipërinë.
Shqiptarët, ashtu si në ditë gëzimi si kjo e sotmja, duhet të jenë bashkë e në krah të njëri tjetrit përballë çdo situate, ashtu siç ishin etërit tanë që themeluan shtetin. Ne e treguam këtë dashuri për njëri tjetrin pas tërmetit te para një viti. Uroj që ky solidaritet të na shoqërojë kurdoherë!
Sot, fatkeqësisht të gjendur para një situate të rëndë pandemie, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet tona të ndjera familjeve të atyre që humbën jetën.
Njëkohësisht lutem dhe ju kujtoj se është tepër i rëndësishëm respektimi serioz i këshillave profesionale të ekspertëve përkatës, duke lënë mënjanë debatin dhe tendencën për protagonizëm në këtë situatë. Për më tepër duke njohur sfidat dhe vështirësitë e sistemit tonë shëndetësor, pa mohuar aspak punën dhe përpjekjet profesionale, vetmohuese dhe të vazhdueshme të mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit mjekësor që qëndrojnë në ballë të kësaj lufte. Ata janë heronj dhe duhen trajtuar me respekt e mirënjohje nga të gjithë ne!
Kërkojmë nga qeveritë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si edhe çdo institucion apo organizëm tjetër, që pa hezitimin më të vogël të vendosin gjithë potencialet e veta në ndihmë të sistemit shëndetësor, për sigurinë e jetës si gjëja më e shenjtë dhe e pakthyeshme.
Në mbështetje të interesit kombëtar, forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetja reciproke Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Mali i Zi, duhet të anashkalojë mosmarrëveshjet e brendshme dhe çdo interes të ngushtë. Në këtë drejtim jam i lumtur të përmend përforcimin e vendimarrjes shqiptare pas zgjedhjeve në Maqedoni, Preshevë dhe Tuz, ku shqiptarët kanë treguar maturi dhe unitet.
Tashmë më tepër se kurrë na duhet të forcojmë unitetin e brendshëm kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-s, të ndihemi krenarë për heronjtë e asaj lufte, shumë prej të cilëve për turp e fat të keq kanë mbetur për bukën e gojës, të vlerësojmë sakrificat e atyre që u përballën deri në vetmohim për ti dhënë Kosovës lirinë! Ndërkohë duhet ti kujtojmë Gjykatës Speciale se në bankën e të akuzuarve duhet të jenë ata që me të vërtetë planifikuan dhe ekzekutuan genocid dhe krime makabre ndaj shqiptarëve autoktonë!
Ne duhet të mos rreshtim së kërkuari drejtësi ndaj genocidit të bërë nga pushtuesi serb, qeveria e Millosheviçit e bashkëpunëtorët e tij, duke denoncuar fuqishëm aktet e tyre kriminale, sepse vetëm kështu do të nderohen viktimat dhe do të përcjellim paqe për shumë familje shqiptare që kanë përjetuar llahtare dhe kanë humbur njerëzit e tyre më të shtrenjtë. Midis tyre, absolutisht dua të përmend e përkujtoj motrat dhe nënat tona në Kosovë që përjetuan dhunime për të cilat nuk ka patur kurrë kërkesë falje. Ata që edhe sot krekosen në arenën politike dhe me cinizëm flasin për vlera humane, u imponohen kancelarive perëndimore të papenduar e të pagjykuar për bashkëpjesmarrje në atë ndërrmarje të vërtetë kriminale.
Bashkëpunimi dhe dakortësia mes palëve në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe krizave të ndryshme në vend, duhet të jetë në funksion të përshpejtimit të antarësimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE konform rekomandimeve të kancelarive perëndimore Euro-Atlantike duke respektuar çdo marrëveshje.
Propozimi i “Minishengenit ballkanik” nuk duhet pranuar si një alternative e përkohshme përpara antarësimit tonë në BE, ndërkohë që ende nuk kemi ndërtuar një vizion të qartë ekonomik për një partneritet Europian dhe kur fenomeni i albanofobisë është ende një element tepër i rrezikshëm kundër shqiptarëve, një problem gjeopolitik, që ka të bëjë me stabilitetin në rajon. Ndërkohë na duhet të forcojmë komunikimin e brëndshëm kombëtar, krijimin e platformave të qarta komplementare ekonomike në rradhë të parë, por edhe si një mundësi më shumë për Ballkanin Perëndimor.
Shqiptarët nuk e meritojnë këtë tranzicion të gjatë, të mundimshëm dhe këtë mungesë institucionesh kryesore në vend, gjë që ka sjellë pështjellime në funksionimin e shtetit ligjor duke krijuar probleme të mprehta që në jo pak raste kanë cënuar kushtetutën.
Zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të drejta e pa manipulime, do të jenë baza e një frymëmarrjeje të re drejt BE-së për vendin tonë.
Proçesi i vetingut duhet të mbështetet me çdo kusht, por duke përzgjedhur gjyqtarë të kualifikuar e që mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre. I njëjti parim duhet ndjekur edhe për politikanët, për tu shkëputur njëherë e për gjithmonë nga kultura e deritanishme e korrupsionit e cila ka gërryer sistemin tonë dhe nuk e lejon shoqërinë të ngrejë kokë.
Kjo ndihet në plagën e rëndë të vërejtur veçanërisht vitet e fundit, ku mijëra familje, të rinj e të reja, po detyrohen të lënë Atdheun e tyre për një jetë më dinjitoze drejt vëndeve të Europës Perëndimore.
Vëllezër e motra, edhe njëherë ju uroj Gëzuar Ditën e Shqipërisë, e me zemër ju përshëndes duke ju uruar mbi të gjitha shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja.
I juaji,
Leka II
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...