Presidenti Meta në Maratonën online të “Fjongos Blu”: Të gjithë e kemi për detyrë t’ju sigurojmë një fëmijëri të lumtur, të shëndetshme edhe të sigurt fëmijëve tanë. Nga cilësia e fëmijërisë së tyre varet shumë e ardhmja e Atdheut tonë të përbashkët
Në vazhdën e nismës kombëtare kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve #NeJemi1, si dhe me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm sot në Maratonën online të “Fjongos Blu”, një veprimtari e organizuar në sheshin “Skënderbeu” nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), ku merrte pjesë edhe Ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad.
Kjo ditë na shërben për të rritur ndërgjegjësimin dhe vëmendjen e të gjithë shoqërisë, të institucioneve dhe të shoqërisë civile, për të parandaluar dhe luftuar dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve, dhe në të njëjtën kohë për të angazhuar dhe sensibilizuar publikun e gjerë për ta luftuar së bashku dhe për ta izoluar maksimalisht këtë fenomen.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është një shkelje tepër flagrante, serioze e të drejtave të njeriut, dhe është tërësisht e papranueshme! Prandaj, të gjithë së bashku duhet të krijojmë kulturën e parandalimit të raportimit dhe mbi të gjitha atë të ndëshkimit maksimal të këtij fenomeni!
Dhuna ndaj fëmijëve, veçanërisht ajo seksuale, si në internet ashtu edhe në jetën e përditshme, është një problem sa lokal, kombëtar edhe global.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, në qershor të këtij viti, raportoi se deri në 1 miliard fëmijë, në mbarë botën, kanë përjetuar një nga format e dhunës përgjatë vitit të kaluar.
Në Shqipëri, sipas studimeve të bëra, 76% e fëmijëve përjetojnë dhunë. Thuajse 11% e fëmijëve raportojnë se janë viktima të ngacmimeve dhe dhunës seksuale nga një i rritur apo bashkëmoshatar.
Ndërkohë, përgjatë dy viteve të fundit, jemi tronditur thellësisht në mbi 65 raste të raportuara dhe denoncuara të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.
Edhe pse kemi një denoncim më të madh të dhunës dhe abuzimit seksual të fëmijëve dhe çështja po bëhet gjithnjë e më shumë publike, Shqipëria shfaq problematika, barriera dhe mangësi në kapacitete për trajtimin më profesional të krimeve seksuale tek fëmijët dhe adoleshentët.
Shërbimet shoqërore, për fëmijët viktima të dhunës seksuale, si në nivel kombëtar ashtu edhe vendor, janë larg standardeve ndërkombëtare të kërkuara, ndaj edhe njësia e “Intelligence Unit” e Gazetës “The Economist” e rendit Shqipërinë shumë larg vendeve Europiane, apo edhe atyre të rajonit.
Shqipëria, si shtet palë, që ka ratifikuar Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, ka për detyrë të marrë të gjitha masat e duhura legjislative, administrative, sociale dhe edukative për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo lloj forme e shfrytëzimit dhe keqtrajtimit fizik, seksual, psikologjik, si dhe nga neglizhenca.
Në këtë kuadër, është urgjente të ndërmerren hapa për përmirësimin e menjëhershëm të politikave, në kuadrin ligjor, ndërgjegjësimit dhe të zbatohen modele të reja për mbrojtjen e fëmijëve.
Unë dua të inkurajoj BARNAHUS Shqipëri, për punën e saj të jashtëzakonshme, ku në më pak se 2 vjet ka asistuar mbi 30 fëmijë dhe adoleshentë që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, shumica e tyre vajza.
Gjithashtu, dua të nxis Kuvendin dhe deputetet që të miratojnë sa më shpejt projekt-ligjin për Regjistrin e të Dënuarve për Krime Seksuale, që CRCA Shqipëri ka përgatitur, si përgjigje ndaj parandalimit të krimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.
Po ashtu, është e pa tolerueshme që vetëm 44% e autorëve të akuzuar për krime seksuale ndaj fëmijëve janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Kjo tregon se kemi një mospërputhje të konsiderueshme nga regjistrimi i rasteve të dhunës seksuale në polici, ndjekja penale e tyre nga prokuroria dhe dhënia e dënimit nga gjykata.
Prandaj, të gjitha strukturat dhe agjencitë e ndryshme shtetërore, në nivel kombëtar dhe lokal, duhet të intensifikojnë përpjekjet, që synojnë parandalimin e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve, duke ndërmarrë iniciativa me karakter ndërveprues, dhe duke rritur në maksimum ndëshkueshmerinë.
Çështja e abuzimit të fëmijëve është shumë komplekse dhe duhet të këtë një qasje të integruar dhe nder sektorialë, si dhe veprime të përbashkëta mes institucioneve, Shoqërisë Civile , shkollave, prindërve, trapistëve dhe vetë fëmijëve, me qëllim që, viktimat të marrin kujdesin e duhur dhe abuzuesit të çohen të gjithë përpara drejtësisë.
Një qasje efektive, për problemin e eliminimit të abuzimit ndaj fëmijëve, qëndron në krijimin e kulturës së parandalimit, në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e opinionit publik, në rritjen e informacionit mbi këtë çështje, si dhe në inkurajimin e fëmijëve për të denoncuar çdo formë abuzimi.
Fëmijët janë e sotmja dhe ardhmja jonë! Të gjithë e kemi për detyrë që t’ju sigurojmë një fëmijëri të lumtur, të shëndetshme edhe të sigurt. Nga cilësia e fëmijërisë së tyre varet shumë e ardhmja e Atdheut tonë të përbashkët!”, – tha Presidenti Meta.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu falënderim te veçantë për ambasadoren e Suedisë, Elsa Hastad: “Sepse Ambasada e Suedisë i kushton shumë vëmendje të drejtave të njeriut, demokracisë, dhe mbështet organizatat e Shoqërisë Civile për këto çështje.
Suedia, është një vend model në Europë, përsa i takon të Drejtave të Njeriut, dhe të drejtave të fëmijëve.
Dhe ne, kemi shumë për të mësuar nga Suedia, Danimarka dhe nga vende të tilla, që janë lider për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Kam qenë dhe do të jem së bashku me ju, dhe të gjithë fëmijët, për të drejtat e tyre në çdo aktivitet dhe në çdo nismë”.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...