Google ADS

Presidenti Meta nderon Xhevahir Spahiun me dekoratë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

21:56 | 28 Shkurt 2020
Arbresh.info

Një xhevahir i poezisë shqipe, ashtu siç ka edhe emrin e tij.

Poeti Xhevahir Spahiu ka marrë në 75-vjetorin e lindjes së tij dhe vlerësimin më të madh nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Meta: Ai bashkoi në artin e tij protestën e të indinjuarit, frymëzimin e novatorit, mirësitë naimiane. Kur të shkruhet një histori e poezisë militante, por jo për motive ideologjike: nje poezi militante si e Migjenit, prapë Xhevahir Spahiu do të jetë në vendin e nderit.

Në prani të personaliteteve të letërsisë dhe artit, Meta e cilësoi si poetin që guxoi të ecë në teh të briskut, që nuk njohu kurrë lajka, mite dhe mbase as perëndi. Por Kreu i Shtetit kujtoi se futjen në politikë ja kishte borxh poetit Spahiu.

Meta: Ne kemi lidhje të veçantë, nëse disa nga ju më pëlqejnë mua nëse disa jo kjo është merita apo përgjegjësia e Xhevahir Spahiut se unë asnjëherë nuk kisha ndërmend të bëhesha deputet apo ti hyja jetës politike. Në 1992 iu luta Xhevahir Spahiut që të kandidonte në zonën e Skraparit nga vijmë të dy. Ai nuk pranoi, kështu që socialistët si specialista që ishin më futën mua aty me idenë që zgjidhu ti tani në 92 se nuk pranonte njeri e pastaj vazhdo ikë jashtë shtetit për studime e kështu me radhë. Kështu që Xhevo faleminderit për ato privilegje që unë kam patur në jetën politike sepse të jesh deputet është privilegj, por edhe për ato taksirate që kam patur.

Poeti Xhevahir Spahiu është edhe gazetar i njohur. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operës e Baletit në Tiranë. Ai është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme