Presidenti Meta mesazh të fortë: Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin

12:03 | 17 Tetor 2020
Arbresh.info

Për Presidentin Ilir Meta, me ‘përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit’, dhe në kushtet e pandemisë, situata sipas kreut të shtetit pritet ‘të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare’.

Kjo thekson Meta, ‘duhet parandaluar në kohë’.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se është “koha të veprojmë të gjithë së bashku për të arritur drejtësinë sociale të munguar. Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit.

POSTIMI I PLOTE

Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze.
Banka Botërore në konkluzionet e fundit vjetore e rendit vendin tonë me recesionin më të lartë në rajon, me një rënie të madhe ekonomike që parashikohet nga – 8% në -9% për vitin 2020.

Edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me mijëra biznese janë mbyllur, ndërkohë që niveli i papunësisë krahasuar me një vit më parë ka arritur në 11.9% në gjashtë mujorin e parë të vitit.

Dërgesat nga diaspora janë ulur ndjeshëm duke ndikuar në një rënie drastike të të ardhurave të familjeve më në nevojë, që reflektohen në uljen e konsumit.
Tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 USD/ditë është rritur në 41.5%, nga 35.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton 2 herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ku konkretisht kjo përqindje rezulton:
në Maqedoninë e Veriut 23.3 %,
në Kosovë 22,9%,
në Malin e Zi 20,4%
në Serbi 18,9%.

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.

Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane.

Varfëria nuk zgjidhet as me propagandë, as me statistika nga televizori, as me një thes miell, as me nxitjen e fenomeneve kriminale si kanabisi, që dihet se çfarë dëmesh dhe pasojash tepër të rënda sociale kanë shkaktuar.

Është e papranueshme që një grusht oligarkësh dhe banditësh, siç është edhe mafia e inceneratorëve, të pasurohen çdo ditë me miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, ndërsa një qytetar në nevojë apo një pensionist me fëmijët në emigracion të mbijetojë me 5.5 USD/dita, në kushtet e rritjes së shfrenuar të çmimeve.

Çdo i varfër në Shqipëri dhe çdo qytetar i ndershëm, më shumë se për solidaritet ka nevojë sot t’i dëgjohet zëri i tij.

Ndaj është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të arritur drejtësinë sociale të munguar.

Shqiptarët do ta marrin në dorë sovranitetin dhe jam i bindur se zëri i tyre, jo vetëm do dëgjohet, por të kumbojë aq fort sa të shkallmojë shurdhërinë edhe në zyrën më të humbur të shtetit.

ZËRI I POPULLIT, ZËRI I ZOTIT!
ORA E PËRBALLJES PO AFRON! ??

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme