Google ADS

Presidenti Meta kujton Dritëro Agollin: Fuqia e mendimit i buronte nga populli

09:27 | 13 Tetor 2020
Arbresh.info

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar në nder të ditëlindjes së tij, shkrimtarin dhe poetin e madh shqiptar Dritëro Agollin.

Në një dedikim të gjatë, Meta ka thurur lavdet më të larta për të, teksa shkruar se “Dritëroi ishte një derë e hapur ku gjeje një mik të mençur e të gjendur”.

Gjithashtu Kreu i Shtetit ka vijuar duke shkruar se realitetin e librit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është ende e pranishme edhe sot.

Publikimi i plotë më poshtë:

Dritëroi ynë dritëron gjithmonë!

Thellësia e mendimit, këshillat e mençura, forca e karakterit, urtërsia, e në veçanti kurajoja për t’u ballafaquar me padrejtësinë janë një pasuri e madhe që ai na la të gjithëve, së bashku me kryeveprat artistike, ngahera aktuale, frymëzuese dhe shumë të dashura.

Dritëroi ishte një derë e hapur ku gjeje një mik të mençur e të gjendur. Ai ishte dhe do të mbetet i të gjithëve, prezent në çdo kohë me idetë e tij, në art, kulturë, letërsi dhe politikë, sepse forca e talentit, karakterit dhe fuqia e mendimit i buronte nga populli dhe madhështia e të qenit në radhë të parë njeri modest dhe i thjeshtë, pranë halleve e problemeve të bujkut, fermerit, punëtorit dhe shqiptarit patriot, gjithmonë i pari për t’u “përleshur” me padrejtësinë, arrogancën, megalomaninë, burokratizmin dhe presionet e pushtetit.

E kush do ta mendonte se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do të ishte edhe sot kaq prezente si fabul në administratën shtetërore, ku ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën.

Sot në ditën e tij të lindjes, Dritëroi na mungon fizikisht të gjithëve. Por ai do të jetë përherë i gjallë midis nesh, në çdo raft librash, në kujtimet e paharruara që la pas dhe në çdo këshillë të vyer që na dha ne miqve të tij!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme