Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot lindjen e poetit të shquar shqiptar At Gjergj Fishta.
Në një postim në Facebook, Presidenti Meta ka cituar disa vargje nga poezitë e Fishtës dhe shkruan se Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale.
Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
“O Perëndi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lanë pa Atdhe,
E Ti rri e gjuan me rrufe
Lisat n’për male kot…”
Si sot, 149 vite më parë lindi Epiku ynë më i madh, poeti i shquar At Gjergj Fishta, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, shprehësi më i fortë i idealeve atdhetare dhe demokratike, i cili jetësoi vlerat e Rilindjes sonë Kombëtare.
Figurë qendrore e veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike, roli dhe kontributi i tij ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare.
Spikat veçanërisht roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit ku u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe, me një angazhim të vyer për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, deputet, anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, i angazhuar për njohjen diplomatike të Shqipërisë, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, për të Shqiptaria ishte misioni më fisnik i kombit, që na e la trashëgimi dhe prej së cilës ne frymëzohemi edhe sot.
At Gjergj Fishta me kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” dhe me gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, idealizoi dhe kërkoi shqiptarin e përjetshëm, heroin dhe misionarin e kombit që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete.
Ky është një mesazh që edhe sot mbetet më i fortë dhe i vlefshëm se kurrë: Të punojmë vetëm për të mirën dhe të ardhmen e ndritur të Shqipërisë.
Padre Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale, duke na lënë amanet për të qenë gjithmonë të vëmendshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe të shtetit nga çdo kërcënim, që aq mjeshtërisht e ka shprehur në vargjet:
“Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e Atdhè?” ??
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...