Google ADS

Presidenti i Shqipërisë takon shqiptarët e Rozhajës

23:11 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Komunën e Rozhajës të Malit të Zi. Kjo është hera e parë që një kryetar i shtetit shqiptar viziton këtë komunë ku banojnë shqiptarë në Mal të Zi.

Kreu i shtetit u prit nga nga zv/kryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviq, si dhe ministra dhe deputetë. Shqiptarët e Rrozhajës i kanë rezervuar presidentit Meta një pritje te ngrohtë. Me dhjetëra banorë shqiptarë të Rrozhajës e zonave përreth që kishin dalë për të përshëndetur presidentin shqiptar Ilir Meta, raporton Koha Jonë.

 

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviç, ministri i Infrastrukturës, Osman Nurkoviç, kryetari i Kuvendit të Komunës Rozhajë, Amir Avdiç, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Uglanin, deputeti Ervin Ibrahimoviç, kryetarët e komunave nga Mali i Zi dhe Kosova, si dhe shumë bashkatdhetarë të Rozhajës e të zonave përreth.

 

“Alfabeti dhe gjuha e bukur shqipe janë elementi më i rëndësishëm përbashkues i shqiptarëve kudo në botë. Prandaj edhe këtu në Rozhajë, rëndësia më e madhe për të gjithë ne është ruajtja e gjuhës sonë të bukur shqipe. Edhe ky aktivitet kulturor, i shërben këtij qëllimi.” – theksoi presidenti Meta.

 

“550-vjetori i largimit për në përjetësi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, është ngjarja që e ka simbolizuar këtë Vit Mbarëkombëtar te të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Gjergji ynë i madh e shtroi rrugën e kombit tonë drejt Perëndimit duke përcaktuar identitetin tonë europian, në gjirin e familjes së madhe europiane, aty ku Shqipëria dhe shqiptarët aspirojnë të anëtarësohen së shpejti me merita të plota.” – u shpreh presidenti i Republikës.

 

Duke shtuar se është një kënaqësi e veçantë që nga ky takim tradiconal kulturor e letrar t’iu uroj banorëve të Rozhajës dhe të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, Festën e Flamurit Kombëtar. Presidenti i Republikës me këtë rast vlerësoi organizatorin e palodhur të tubimit, mësuesin e intelektualin Ali Daci me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar si mësimdhënës i gjuhës shqipe, gazetar, shkrimtar e veprimtar i spikatur, si dhe për organizimin e veprimtarive kulturore në Rrozhajë, duke ruajtur e lartësuar traditat, doket dhe zakonet më të mira shqiptare”.

 

Ilir Meta ka postuar edhe këtë shënim shoqëruar me foton me Abetaren nga Vuthaj:

 

Alfabeti dhe gjuha e bukur shqipe janë elementi më i rëndësishëm përbashkues i shqiptarëve kudo në botë.

 

Befasi e këndshme të takoja sot në Rozhajë, Abetaren nga Vuthaj, e së bashku të uronim 110-vjetorin e Alfabetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme