Google ADS

Presidenti i ri, sot negociatat PS-PD

08:24 | 18 Maj 2022
A Z

Socialistët do të ulen sot për herë të parë në negociata për presidentin e ri me atë pjesë të PD që përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj.

I përpiktë në orarin e ftesës së bërë nga Taulant Balla gjatë konferencës së kryetarëve, Alibeaj u takua me të në Kryesinë e Kuvendit dje, por vetëm për t’u dakordësuar që diskutimi për kriteret për presidentin konsensual të zhvillohet në orën 10:00 të ditës së sotme në sytë e mediave, kusht shumë i rëndësishëm ky për kreun e grupit parlamentar demokrat.

Ndërkohë, gjatë paradites së djeshme konferenca e kryetareve vendosi që pas dështimit të raundit të parë, Parlamenti do të mblidhet pasditen e 23 majit për raundin e dytë të zgjedhjes së presidentit, ku opozita këmbënguli në qëndrimin se nuk do të sjellin asnjë emër në tryezë pa u plotësuar më parë kriteret që duhet të ketë kandidati për President, që sipas tij duhet të vijë si propozim i opozitës.

Enkelejd Alibeaj: Të çojmë emra ne që të tallen këta? Si shenjë për të dalë nga loja e vjetër 30-vjeçare e kulisave për përzgjedhjen e presidentit, bëmë të hapur disa kritere që figura duhet të mbajë të jemi dakord. Presidenti nuk duhet të jetë as i njërës palë, as i tjetrës. Vetëm kështu do të kishte virtytin të ishte mbi palët.

Por ndryshe nga Alibeaj, Fatmir Mediu, kërkoi që opozita të dalë me kandidatë, në të kundërt, të mos bëhet fasadë e një procesi farsë.

“Përgjithësimi sikur politika po fillon sot për herë të parë nuk i shërben këtij procesi, po nuk bëmë detyrat e shtëpisë tonë vështirë se bëjmë të botës. Kriteret do vijnë tek emrat. Në raundet që vijnë të shkohet me kandidatë të propozuar nga ne ose të ndërpresim marrjen pjesë nga ky proces”.

Ashtu si në konferencën e kryetarëve, dhe pas takimit me Alibeajn, të martën kërkuan të hiqet dorë nga kushti që privon mazhorancën nga e drejta e propozimeve të kandidatëve, pasi ajo vetë po vjen pa kushte në këto negociata.

“Mediu ka eksperiencë dhe e di që kjo punë nuk bëhet me letra. Jemi të gatshëm për të diskutuar e fillojmë nga kriteret, por të drejtën grupit të PS-së për të propozuar emra nuk ja heq askush”, u shpreh Taulant Balla.

Takimi i sotëm rrit shanset që në 2 raundet e tjera ku kërkohet domosdoshmërisht 84 vota për të zgjedhur presidentin, palët të shkojnë me një kandidaturë konsensuale edhe pse në kushtet kur në raundin e 4 dhe të fundit, atë të 5 presidenti mund të zgjidhet dhe me 71 vota. Nuk përjashtohet mundësia që dhe dy raundet e ardhshme të dështojnë dhe socialistët ta zgjedhin të vetëm pasuesin e Ilir Metës./tvklan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme