Google ADS

Presidenti Begaj e falënderon ShBA-në për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës

23:41 | 22 Qershor 2023
K.B

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në pritjen me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar.

“Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim”, tha ndër të tjera presidenti shqiptar.

Kreu i shtetit shqiptar falënderoi ShBA-në për, siç tha, “rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë”.

“Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë”, tha më tej Begaj.

Ai shprehu dhe njëherë gatishmërinë për përforcim e mëtejshëm dhe intensifikim e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e posaçërisht ato ekonomike, si dhe në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare e rajonale po aq dhe globale.

Në fund të fjalës së tij, Begaj rezervoi një falënderim të posaçëm ndaj Ambasadores Yuri Kim, që po mbaron misionin e saj diplomatik në Shqipëri.

“Ju uroj shumë sukses në detyrën e rëndësishme që ju pret. Ju besoj e dini tashmë, por më lejoni t’ju rikujtoj se ne shqiptarët themi: Shtëpia është e Zotit dhe mikut! Uroj të gjeni kohë dhe pas përfundimit të misionit në Shqipëri, të kujtoni natyrën, miqtë e pse jo dhe politikën e institucionet tona, por mbi të gjitha të vini në shtëpinë tuaj”, mbylli fjalën e tij presidenti i Shqipërisë./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme