Paraditen e 15 marsit, kati i tretë nëntokë i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë mori flakë. Deri më tani dihet se një pjesë e librave të fondit të bibliotekës, botuar pas viteve 1990 janë djegur e dëmtuar.
Drejtoresha e Bibliotekës Persida Asllani deklaroi se nuk është prekur mjedisi ku ruhet fondi i vlerave të rralla.
“Bëhet fjalë për libra që mund të jenë në gjuhë të huaj, apo në shqip, libra që huazohen nga lexuesi, por që besoj janë të rikuperueshëm,” deklaroi Zonja Asllani, pa shpjeguar se si mund të rikuperohen librat e djegur.
Ndërkohë, zëvendësministri i Kulturës Çuni deklaroi se janë djegur libra të letërsisë ruse. E vërteta e librave të djegur pritet të mësohet sapo situata në bibliotekë t’i rikthehet normalitetit.
Premtimet për Bibliotekën Kombëtare
Prej vitesh, studiues e gjuhëtarë kanë shprehur shqetësimin për gjendjen e mjerueshme të Bibliotekës Kombëtare. Një pjesë e ndërtesës është kthyer në kafene apo në ambiente të tjera private, ndërkohë që brenda ambienteve të bibliotekës prej vitesh nuk është bërë asnjë investim infrastrukturor. Në katet e nëndheshme ku mbahet fondi i librave, hapësirat janë të pamjaftueshme dhe nuk plotësojnë kushtet e duhura për ruajtjen e librave.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në vitin 2013, shprehu shqetësimin e saj përpara Komisionit të Edukimit dhe Informimit Publik, për gjendjen skandaloze të këtij institucioni.
“Gjendja në Bibliotekën Kombëtare është skandaloze. Kërkohet ndërhyrje urgjente për krijimin e hapësirave të reja.”
Në gusht 2014, drejtoresha e sapoemëruar e bibliotekës Persida Asllani, premtoi se do të merrte nisma për restaurimin dhe rikthimin e hapësirave të “privatizuara” të ndërtesës.
Pak muaj më vonë, në shkurt të 2015-ës, Zonja Asllani, në një komunikim me gazetarët njoftoi se kishte nisur procesi i marrjes së hapësirave.
“Lajmi i mirë është që Bibliotekës Kombëtare do t’i jepen hapësira, të cilat do të lejojnë tejkalimin e këtij ngërçi. Procesi ka nisur qysh me negociatat e ndërmarra, deri te proceset teknike të studimit të kushteve fizike e inxhinierike të ndërtesës. E shoh se do të dojë kohë, jo vetëm pjesë nga buxheti i shtetit, por qeveria e ka paraqitur këtë ristrukturim edhe të hapësirave dhe konceptit, si një nga projektet për t’u investuar dhe mbështetur nga BE-ja. Nuk mund të flas me shifra ende.”
Por në fund të vitit 2015, më 20 dhjetor, me rastin e 95 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare, Drejtoresha Asllani, Ministrja Kumbaro dhe Kryeministri Rama përsëritën premtimin për rikonstruktimin dhe marrjen e hapërsirave, sikur procesi të mos kishte filluar asnjëherë.
“Unë kam një ëndërr, […] për një bibliotekë të përtërirë, dinjitoze, jo vetëm për mënyrën si funksionon në informacionin dhe pasurinë që i ofron kulturës kombëtare, por dinjitoze dhe në hapësirat e veta, në mjediset e punës dhe të leximit,” u shpreh Zonja Asllani.
Ndërsa Kryeministri Rama, duke i dhuruar Bibliotekës albumin e tij të skicave, deklaroi:
“Ne do të bëjmë për Bibliotekën Kombëtare sa nuk është bërë për 25 vite të marra së bashku. Ne jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces dhe do t’ia rikthejmë Bibliotekës pjesën e trupit të saj të amputuar nga barbaria e kulturës së tranzicionit.”/Exit
OBSH: Mbi 100 pacientë do të evakuohen nga Gaza
Hovenier për zgjedhjet në SHBA: Cilido që të jetë rezultati,...
Siguria në Kosovë, temë e diskutimit mes komandantit të KFOR...
Xhorxhia, qarku kryesor Gwinnett numëron votat e hershme
Zonja Meri ka një shpjegim epik pse Trumpi do ta mposhtë Har...
A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut?