Prej 4 javësh të bllokuar në tragete, riatdhesohen edhe 37 shqiptarë të tjerë

09:41 | 4 Prill 2020
Arbresh.info

Janë riatdhesuar 37 detarë të cilët kishin mbetur të bllokuar në tragetet e kroçerat e një kompanie në Itali.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës u organizua një operacion ku u kthyen në Shqipëri 35 detarë shqiptarë dhe dy të tjerë nga Kosova.

Sipas njoftimit të bërë nga DPD janë marrë masat që 37 shqiptarët tu nënshtrohen të gjithë analizave mjekësore në kuadër të frenimit të përhapjes së Covid-19.

Njoftimi:

Drejtoria e Përgjithshme Detare me një këmbëngulje të jashtëzakonshme, dhe nën kujdesin e Ministres se Infrastrukturës dhe Energjisë znj.Balluku organizoi operacionin e kthimit në atdhe të 35 detarëve Shqiptarë dhe 2 detarëve Kosovarë të cilët kishin 4 javë të bllokuar në tragetet e kroçerat e kompanisë GNV ne Itali.

Pas një pune mjaft të madhe dhe ndihmës të Ministrisë Shëndetësisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u arrit që 37 detarët të imbarkoheshin sonte në tragetin GNV AZZURRA në Bari dhe të nisen në drejtim te Shqipërisë. Detarët Shqiptarë nesër në mëngjes mbërrijnë në Portin e Durrësit ku janë marrë të gjitha masat për kontrollin e tyre mjekësorë dhe transportin e tyre.

Administrata Detare Shqiptare ka qenë në kontakt me gjithë detarët shqiptarë që punojnë në anijet me flamur të huaj duke i asistuar dhe këshilluar për problematikat që kanë. Nga kontaktet që kemi pasur, shumica e tyre vazhdojnë punën në anijet që transportojnë mallra duke kontribuar në lëvizjen e mallrave në këto ditë të vështira për gjithë botën.

Ashtu si të gjithë shqiptarët edhe detarët nuk janë më vetëm dhe të harruar, por të asistuar dhe të ndihmuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Një falënderim edhe për Autoritetin Portual Durrës, Policinë e Kufirit Durrës për gatishmërinë e tyre e ndihmën e pakursyer për të prit nesër detarët tanë”./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme