Porositë e Clinton për Kosovën gjatë vizitës në Shqipëri

10:00 | 4 Korrik 2023
A Z

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, nga vizita e tij në Shqipëri gjatë ditës së djeshme ka pasur porosi edhe për Kosovën.

Në konferencën e tij për media, ai ka folur edhe për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, për të cilën ka thënë se asnjë çështje e madhe politike nuk mund të avancohet duke pasur tension.

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im. Por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për t’ua dhënë katër kryebashkiakë më tepër, kështu që mendoj se tani kam bërë një gabim që të votojë. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët tashmë në shumicë që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për ta paraqitur argumentin e tyre por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që ta ndalim këtë marrëzi”, ka thënë Clintoni në Shqipëri.

“Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë. Dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet: ju duhet të votoni gjithmonë”.

Clinton, ka thënë që situata në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë gjatë luftës ia kishte kujtuar situatën e segregacionit në Amerikë, periudhë në të cilën ishte rritur ai.

“Kur e pashë duke ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje gjithë ato vite më parë kur isha president e pashë të ndodhë si djalë i ri në vendlindjen time. Për fëmijëve që u mohohej e drejta të shkonin në shkollë me mua për shkak të racës së tyre”, ka deklaruar Clintoni gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

“Sa herë e kam parë këtë gjë në jetën time shumë të gjatë, kurrë nuk ka pasur lidhje me të vërtetën në zemër të vet por është bërë për të fituar pushtet, dominim dhe kontroll pa asnjë llogaridhënie nga ata njerëz të cilët shtynë kufijtë dhe mendojnë që disa njerëz janë krijuar të epërm nga Zoti”.

“Për të gjithë ju në Shqipëri sot, për ata prej jush që shërbejnë në qeveri dhe ata të cilëve u shërbehet, për rininë e jashtëzakonshme, dhe praninë e grave në këtë qeveri, për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej të cilëve mbajnë emrin tim e disa të tjerë emrin e familjarëve të mi, ju kërkoj të mos dekurajoheni përballë asaj çfarë po ndodh sepse këto probleme i kanë rrënjët te një impuls që është më i vjetër se shtetet-kombe, më i lashtë se edhe besimet tona fetare”.

Për Clintonin, sipas tij, mësuesi më i mirë kanë qenë vrojtimet e gjërave që i kishte parë si fëmijë duke u rritur me në krye nderin si vlerë.

“Edhe njëherë, e kam të vështirë të them diçka për atë që është bërë e thënë sot, përveç se mësimet thelbësore të jetës sime në politikë nuk janë ato që mësova unë universitet apo edhe në valën e zgjedhjeve, apo në sallonet e diskutimeve të qeverisë. I kam mësuar kur isha vetëm një djalë i vogël që rritesha duke parën njerëzit duke jetuar jetën e tyre dhe jam ndier përherë që fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për gjithkënd”.

“Në këtë moment mendoj që është e rëndësishme që ne të pranojmë fort dhe qartë që dallimet tona kanë rëndësi, sepse askush nuk ka të drejtë gjatë tërë kohës dhe duhet të ndihemi të lirë t’i shprehim ato dhe duhet të jemi në gjendje që ta dëgjojmë njëri-tjetrin por duhet të mos harrojmë që e vetmja mënyrë me të cilën vërtet mund të kenë vlerë dallimet tona dhe e vetmja mënyrë me të cilën duhet të lejojmë të gjithë të kenë zërin e tyre është nëse themi fort dhe qartë se të qenët njerëz e humanizmi ynë i përbashkët vlen më shumë”, njofton Klankosova.tv.

Të ngjashme