Policia greke sekuestron 49 kg marijuanë në kufi, arrestohen 2 shqiptarë dhe 1 grek

12:37 | 11 Tetor 2023
E.K

Policia greke ka ndjekur dy automjete që vinin nga kufiri i gjelbër me Shqipërinë, në njërin nga të cilët u gjet dhe sekuestrua një sasi prej 49 kg marijuanë.

Operacioni është zhvilluar nga policia e Patras, dje në afërsi të vendit të quajtur Klokova, në rrugën “Ionia”.

Janë arrestuar dy shqiptarë 21 dhe 22 vjeç, kushërinj me njeri-tjetrin dhe një grek 68 vjeç. Drejtuesi i mjetit të ngarkuar me droge ishte i moshuari grek, ndërsa dy shqiptarët kishin rolin e kontrollorit të rrugës për të shmangur kontrollet policore.

Mjetet ishin nisur nga Athina dhe janë ngarkuar me drogë në kufi me Shqipërinë, për t’u rikthyer sërish në Athinë. Në bagazhin e mjetit të drejtuar nga greku 68-vjeçar, u gjeten pako që përmbanin 49 kg marijuanë. Dosja i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Mesolongjit./euronews.al

Të ngjashme