Policia Federale Gjermane i dhuron Repartit Special RENEA, 2 automjete speciale për Njësinë e Negocimit dhe Njësinë Antieksploziv, uniforma dhe pajisje të tjera për Repartin Special RENEA dhe 2 autoambulanca për Repartet NSH Fier dhe Shkodër. Ky donacion shkon në vlerën 344.464 euro.
Në ambientet e Repartit Special RENEA u zhvillua ceremonia e dorëzimit të automjeteve, uniformave dhe pajisjeve të dhuruara.
Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano: E vlerësoj me rëndësi të veçantë këtë ceremoni, pasi nga sot, disa automjete të reja e të kompletuara me pajisje speciale për Njësinë e Negocimit dhe Njësinë Antieksploziv, pajisje mjekësore e uniforma speciale, me vlerë totale mbi 344 mijë euro, do të jenë në përdorim të Repartit Special RENEA dhe të Reparteve të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pa asnjë hezitim evidentoj se shteti gjerman, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme Federale dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri, është bërë mbështetës dhe partner tepër i rëndësishëm i Policisë shqiptare, në përmbushjen e misionit të saj.Bashkëpunimi është shtrirë në fusha të ndryshme, si trajnime, asistencë teknike, mjete transporti, pajisje e materiale të ndryshme për Policinë Kriminale, Kufirin dhe Migracionin, Forcat Speciale etj.
Është rasti të shpreh edhe një herë falënderimet për ndihmën e pakursyer dhe mbështetjen që na ka dhënë Ministria e Brendshme e Gjermanisë dhe Ambasada Gjermane në Shqipëri, me mjete e pajisje për strukturat e Policisë Kriminale, të Policisë së Kufirit e Migracionit dhe së fundi për Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ju siguroj se gjithçka që bëhet në mbështetje të Policisë, do të na shërbejë për të forcuar kapacitetet tona për zbatimin e ligjit dhe gjithmonë në shërbim të komunitetit. Duke përfunduar, më lejoni të shpreh edhe një herë konsideratat dhe falënderimet për mbështetjen, ndihmën dhe financimet që ju bëni për Policinë e Shtetit. Faleminderit!
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf: Thelbi i bashkëpunimit policor mes vendeve tona është lufta kundër kriminalitetit ndërkufitar që zhvillohet në nivel ndërkombëtar dhe këtu bashkëpunimi me strukturat e Policisë Federale dhe Zyrës Federale të Krimeve është i një rëndësie thelbësore. Sigurisht që një drejtim thelbësor i bashkëpunimit mes dy vendeve tona, është ai i mbështetjes që jep Gjermania për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, në mënyrë të veçantë luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Konkretisht, sot bëhet fjalë për mbështetjen që i jepet Policisë së Shtetit, përmes Policisë Federale Gjermane, pikërisht në menaxhimin e detyrave të saj. Ne dëshirojmë që përmes këtij bashkëpunimi të mbështesim të gjithë sektorët e aktiviteteve apo operacioneve policore, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në çdo drejtim. Edhe në vitin 2022 ne do të vijojmë bashkëpunimin tonë përmes angazhimit dhe shfrytëzimit të pajisjeve teknike dhe pajisjeve të standardizuara. Unë jam vërtet i kënaqur që ndodhem sot këtu. Uroj për të gjithë ju dhe ne, një bashkëpunim të suksesshëm dhe jam i gëzuar që ne qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit.
Më pas, Drejtori Nano dhe ambasadori Zingraf kanë nënshkruar aktin e dorëzimit të donancionit dhe kanë parë nga afër automjetet dhe pajisjet bashkëkohore.
Ambasadori dhe Nano kanë vizituar edhe ambientet e tjera të Repartit Special RENEA, si poligonin e qitjes dhe muzeun. Një skuadër e RENEA-s ka demonstruar veprime taktike operacionale në poligonin e mbyllur të repartit.
Në përfundim, komandanti i Repartit Special RENEA, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, i ka dorëzuar ambasadorit Zingraf, stemën e RENEA-s, me moton “Mbrojmë jetë me jetën tonë”./tvklan.al
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë