Shqipëria do të ketë një pol të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë kibernetike, që po zhvillohet përgjatë Unazës së Tiranës, në rrethrrotullimin që lidh zonën e Saukut dhe Liqenin Artificial.
I shtrirë në një sipërfaqe prej më shumë se 9 mijë metër katrorë, projekti i dytë i madh në fushën e mbrojtjes kibernetike pas Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, është një kompleks i madh godinash qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte sot në kantier, së bashku me Zv/Kryeministren dhe Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila dha detaje mbi projektin.
“Ndodhemi në kthesën e Saukut, në akses të plotë me dalje në Unazën e Madhe të Tiranës. Ky pozicion është zgjedhur për të ndërtuar Polin e Sigurisë Kibernetike, ku këtu do akomodohet ACESK-u, ASIG DHE AIF, Agjencia e Inteligjencës Financiare. Është një sipërfaqe 9600 m katrorë ku kemi një ndërtesë ekzistuese të mbetur nga disa projekte private të mëparshme, por pasi kemi bërë të gjithë procedurat e duhura për sa i përket shkëmbimit të truallit dhe pasi kemi arritur që të kemi një detyrë projektimi shumë të mirë nga të tre ndërmarrjet, institucionet që do jenë pjesë e këtij Poli, tashmë kemi një projekt dhe jemi gati të fillojmë me kantierin.
Parashikohet që të kemi një ndërtesë mbi tokë që do të arrijë në 4000 metra katrorë, ndërkohë që nëntoka arrin në 5800 metra katrorë ku një pjesë e zyrave do jenë në nivelin -1 për arsye sigurie, ku ndodhen serverët dhe zyrat e tjera te operimeve. Nga ana tjetër, kati -2 do të jetë parkim me mbi 115 vende parkimi.” – shpjegoi Zv/Kryeministrja Balluku.
Pjesë e kompleksit që po ndërtohet do të jetë edhe Akademia Kibernetike, e cila vjen si nevojë për ngritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike.
“Parashikohet që këtu të ketë vendndodhjen dhe Akademia Kibernetike për të cilën ne tashmë kemi folur gjatë, duke qenë se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm nisur nga vera e 2022 në sigurinë kibernetike, duke na rritur me 23 vende ne indeksin global të mbrojtjes kibernetike apo duke na dhënë dhe çmimin e parë në takimin global të institucioneve të mbrojtjes kibernetike. Kështu që, duhet pasur parasysh që tashmë dhe nevoja që ne kemi për ngritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike na ka detyruar që të ngremë këtë akademi e cila do të jetë aktive, jo vetëm për ata që do të punojnë në ACESK por dhe ata që do punojnë në ASIG apo edhe ata që punojnë në inteligjencën financiare. Holli është parashikuar që të jetë një holl modular, i cili do ndryshojë sipas eventeve që do të ketë aty dhe do të jetë i përdorshëm nga të tre institucionet që janë parashikuar për të qëndruar brenda kësaj ndërtese.” – u shpreh Zv/Kryeministrja Balluku.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se kjo godinë është shumë e rëndësishme për vetë aktivitetin që kryhet brenda saj dhe inkurajoi për përfundimin e punimeve edhe më herët se afati i parashikuar.
“Kompaninë e kemi ‘shalqi me provë’ dhe kam shumë besim që do të bëhet jo vetëm punë shumë cilësore, por edhe në afat. Afati i përfundimit është për 18 muaj, por mbase edhe nga eksperienca me ju, edhe më shpejt mund të mbyllet. Është shumë e rëndësishme për ne kjo godinë, se faktikisht është një godinë me standarde të sigurisë së lartë, për vetë aktivitetin që kryhet brenda saj, qoftë nga agjencia e mbrojtjes kibernetike që siç e tha dhe zëvendëskryeministrja, ka marrë një rëndësi të veçantë, por dhe ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe së fundmi është pajisur me një teknologji të fjalës së fundit që na vë realisht në vendet e larta të klasifikimit në Europë për mbrojtjen, qoftë për klasikun që merret me të gjitha të dhënat gjeohapësinore të vendit, dhe qoftë për Agjencinë e Inteligjencës Artificiale që ka një punë shumë të ndjeshme për shkak të sensibilitetit të të dhënave që lidhen me transaksionet financiare dhe që është një agjenci kyç qoftë përsa i përket daljes së Shqipërisë nga lista gri, qoftë sa i përket gjithë përpjekjes për të luftuar me evazionin, por në radhë të parë me paratë që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Kështu që, realisht është një godinë me shumë rëndësi dhe ka një pozicion shumë të favorshëm besoj, se është dhe e shkëputur, por dhe afër qendrës edhe përsa i përket trafikut, por edhe si fazë e parë e asaj që vjen nga mbrapa për të ndërtuar më tej standarde të reja për gjithë pjesën e akademisë, policisë dhe akademisë së sigurisë.” – u shpreh Rama.
/rtsh.al/
“Mua më shikon gjithmonë duke kërcyer”, Sara ngacmon Driloni...
Bayerni po mendon t’i rinovojë kontratën legjendës së klubit...
Rama publikon pamje nga Mali i Thatë: Destinacion i përkryer...
Abdixhiku mbledh kryetarët e degëve të kësaj partie: LDK-ja ...
Avokati: Qeveria ka 60 ditë afat për t’ia kthyer Behgjet Pac...
Të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmi rus...