Universiteti Politeknik i Tiranës thith çdo vit maturantët më të mirë të vendit. Studentët e tij janë target-grupi më i kërkuar nga rekrutuesit dhe për këtë arsye, UPT zhvilloi panairin e parë të punës.
Pjesa më e madhe e studentëve që dalin nga bankat e këtij universiteti lakmojnë tregun europian. Sfidat për UPT, më i vjetri në vend, janë të shumta, nga ambientet e kufizuara deri te largimi i stafit akademik në universitetet europiane. Me gjithë këto vështirësi po mundohet që të mbajë lart standardin…
Nga Ledina Loga
Ditmar Halla është një inxhinier mekanik i sapodiplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës. Po bëhen thuajse 10 muaj që ai është i punësuar pranë kompanisë gjermane Forschner, që prodhon prej 2015-s pjesë për Mercedes Benz dhe Philips në Shqipëri. Fillimisht nisi të punojë si praktikant përkundrejt pagesës dhe më vonë do të lidhte një kontratë definitive punësimi.
Sot, Ditmari është përzgjedhur nga kompania si rekrutues në Panairin e Punës. Ata kërkojnë inxhinierë të të gjitha profileve. Aktualisht kompania, e cila ka zyra në Vaqarr dhe Durrës, punëson rreth 400 persona, megjithatë është në kërkim të vazhdueshëm për të rekrutuar staf. Rekrutuesit e kompanisë “po gjuajnë” për studentë, në pozicionin e operatorit në prodhim, të cilët kanë dëshirë të bëjnë praktikën pranë kompanisë në muajt e verës, me mundësi punësimi, njësoj si Ditmari.
Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi, javën e kaluar, për herë të parë një panair pune, në mjediset e veta, me anë të të cilit synonte të afronte studentët me kërkesat e tregut. Thirrjes për pjesëmarrje në panair nga 139 kompani iu përgjigjën vetëm 29. Megjithatë, interesi nga kompanitë pjesëmarrëse ishte i lartë, po ashtu edhe nga studentët. Edhe pse panairi u organizua në sezonin e provimeve, shumë studentë morën pjesë në të, për t’u njohur me kërkesat e tregut për profilin e tyre.
Për rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, arma e tyre e fortë është cilësia shumë e mirë e studentëve, duke qenë se çdo vit thithin maturantët me rezultatet më të larta. Nisur nga partneriteti i vazhdueshëm që kanë me kompanitë, më të kërkuarit janë studentët e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit. Çdo vit, UPT nxjerr studentë me diplomë në inxhinieri informatike, elektronike dhe telekomunikacioni. “Kërkesa për këto profile është e lartë”, – tha profesor Maliqari.
Kërkesë më të madhe pas studentëve të teknologjisë së informacionit ka për inxhinierët e ndërtimit. Nuk mungon kërkesa as për profile të veçanta, si inxhinieria elektrike dhe mekanike, të cilat vijnë kryesisht nga industritë prodhuese në vend.
Të rinjtë nuk largohen jashtë Tiranës
Duket e çuditshme që të pyesësh një student të inxhinierisë civile nëse është i gatshëm që të shkojë në kantier. Rekrutuesja e kompanisë Gener 2, e cila mbledh jetëshkrimet e studentëve të inxhinierisë së ndërtimit, thotë se vazhdimisht hapin programe për të tërhequr të rinj në vendet e lira të punës. Megjithatë hasin vështirësi për t’i siguruar ata për projektet që kanë jashtë Tiranës.
Drejtorja e Burimeve Njerëzore në kompaninë Bankers Petroleum Albania, e cila merret me kërkimin dhe nxjerrjen e naftës, Fationa Bilero, thotë se kanë vështirësi që të rekrutojnë staf nga Tirana për të punuar në Fier. Aktualisht nga 550 të punësuar, vetëm 10 janë nga Tirana. Arsyeja, sipas saj është se kryesisht, studentët pasi përfundojnë studimet, duan që të qëndrojnë në kryeqytet.
Nevojat e tyre për burime njerëzore janë në të gjitha fushat, nga asistentët e zyrave, te teknikët e mesëm, por edhe në nivele të larta. Për të stimuluar rekrutimin e burimeve njerëzore, Fationa Bilero thotë se kanë një paketë kompensuese shumë konkurruese, krahasuar kjo me çka ofron tregu në Shqipëri. Aktualisht Bankers ka pozicione të lira pune për teknikë të mesëm elektrikë.
Por ikin masivisht jashtë…
Universitetet në Shqipëri, në mos për të furnizuar tregun e punësimit vendas, po kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme në përgatitjen e studentëve për tregun e huaj. Rektori i UPT, Andrea Maliqari, thotë se në përfundim të tre viteve, studentët zgjedhin që të largohen jashtë, kryesisht në Europën Perëndimore. Profesor Maliqari shton se, përveç largimit të studentëve, po bëhet problem edhe largimi i stafit akademik. Arsyet shkojnë përtej mureve të Politeknikut.
Sipas rektorit, studentët, por edhe pedagogët, janë në kërkim të plotësimit më të mirë nga ana profesionale dhe ekonomike. Është në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjen më të mirë për veten. E njëjta situatë po ndodh edhe me studentët e Universitetit Mjekësor, ku çdo vit, të diplomuarit në Fakultetin e Infermierisë dhe Mjekësisë shkojnë dhe punësohen në Gjermani, me paga disafish më të larta, por edhe me punësim më të sigurt dhe më premtues për t’u rritur në karrierë.
Hendeku i njohurive, problem kurrikula e vjetër
Një ndër problemet apo pikat e dobëta që kompanitë pjesëmarrëse në panair theksuan për “Monitor” është hendeku midis njohurive që marrin studentët në universitet me kërkesat e kompanive. Për disa prej kompanive, njohuritë që marrin studentët janë shumë të vjetra, ndërkohë që teknologjia ndryshon vazhdimisht. Elfrida Shehu, zëvendësrektore në UPT tha se po përpiqen që të zvogëlojnë hendekun, duke futur kurrikula të reja, por megjithatë ritmi i ndryshimit nga kompanitë private është pak më i shpejtë.
Fationa Bilero, drejtore e Burimeve Njerëzore në Bankers, tregoi se hendeku i madh midis njohurive të marra dhe atyre të kërkuara plotësohet nëpërmjet trajnimeve, të cilat zgjasin deri në një vit. Kjo, pa dyshim që është një kosto e shtuar për të gjitha kompanitë që rekrutojnë studentë.
Ndërsa rektori Andrea Maliqari u shpreh se janë në përpjekje të vazhdueshme që të afrojnë kurrikulat me nevojat e tregut. Ai shtoi se falë partneriteteve që kanë me Universitetet Europiane po përpiqen që të sjellin kurrikulat për studentët shqiptarë në përputhje më ato të universiteteve jashtë. Në këtë mënyrë iu japin aftësi edhe për tregun jashtë, tha profesor Maliqari.
Megjithatë, universitetet tona kanë mungesa bazike. Për universitetet politeknike kërkohet që sipërfaqja e vënë në dispozicion për student të jetë nga 6 deri në 8 metër katrorë, ndërsa në UPT është 2-4 metër katrorë. “Jemi para vështirësisë për të ulur numrin e pranimeve, ose do të detyrohemi të ulim standardet”, – u shpreh rektori.
Universitet pa kërkim shkencor
Universitetet, përpos edukimit dhe formimit të anës profesionale të studentëve, nxjerrin produkte shkencore. Gjatë panairit, në stenda të veçanta ishin ekspozuar punët shkencore të studentëve, nga robotë të vegjël, deri te makineri të fuqishme të përpunimit, por edhe mokete të studentëve të inxhinierisë elektrike, ndërtimit dhe arkitekturës.
Megjithatë, vitet e fundit, universitetet publike po prodhojnë shumë pak kërkime shkencore dhe për këtë, shkak është bërë ligji i ri për pranimet e doktoraturave. Prej katër vitesh, universitetet publike, në kuadër të reformimit, nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të re për doktoratura. Sipas rektorit të UPT, kjo ka ndaluar prodhimin e kërkimeve shkencore. Shqipëria renditet e fundit për sa i përket numrit të kërkimeve shkencore në të gjithë rajonin.
Kërkimi shkencor për rektorin e UPT mund të nxitet dhe nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë private, marrëveshje që ato synojnë që t’i arrijnë edhe nëpërmjet panairit të punës. Duke qenë se universitetet hasin vështirësi në sigurimin e ambienteve dhe janë të varfër në infrastrukturë dhe laboratorë, nëpërmjet kompanive private mund të sigurojnë mjedisin për të zhvilluar kërkimin shkencor. “Në këtë mënyrë, mund të krijohen inkubatorët” – thotë Maliqari, rektor në UPT. Produktet shkencore do të jenë pronë e kompanive private, ndërsa Universiteti do të ketë mundësi që të zhvillojë kërkimin shkencor.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave pranë UNESCO-s, Shqipëria llogarit 0.2% ndaj PBB-së shpenzime për kërkime dhe zhvillim. Vendi ynë ka 157 kërkues për 1 milion banorë, ku rreth 56% e zënë meshkujt dhe 44% femrat.Pjesa më e madhe e shpenzimeve i takon buxhetit të shtetit me rreth 20.7 milionë dollarë, ndërsa universitetet llogarisin një shifër të afërt, në rreth 19 milionë dollarë. Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim në sektorin privat dhe publik në vendin tonë llogariten rreth 39.8 milionë dollarë në vit.
Në rajon, nivelin më të lartë të shpenzimeve për Kërkimin dhe Zhvillimin e ka Serbia. Shpenzimet për Kërkimin dhe Zhvillimin janë sa 0.8% të PBB-së, apo 757 milionë dollarë, ndërsa numri i kërkuesve përllogaritet rreth 1,830 për 1 milion banorë. Sipas të dhënave të publikuara, peshën më të madhe të bizneseve e kanë bizneset me rreth 224 milionë dollarë.
E dyta renditet Maqedonia, shpenzimet e së cilës për Kërkimin dhe Zhvillimin janë rreth 0.5% e PBB-së, apo 145 milionë dollarë. Maqedonia numëron rreth 838 kërkues për 1 milion banorë.Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja, shpenzojnë për Kërkimin dhe Zhvillimin përkatësisht 0.4% dhe 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Numri i kërkuesve për 1 milion banorë është 673 në Malin e Zi dhe 266 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Nuk ikin vetëm studentët”
Flet rektori i Universitetit Politeknik, Andrea Maliqari
Kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjerë me kompanitë që ne t’i orientojmë programet tona, sidomos, masterat që janë specializime në fusha të caktuara, me nevojat e tyre…
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga panairi i punë, i organizuar Universiteti Politeknik i Tiranës?
Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi për herë të parë panairin e punës dhe patëm pak vështirësi, duke qenë hera e parë. Aktiviteti, për ne ka tre drejtime të rëndësishme. I pari lidhet me parimin, i dyti me formën, kurse i treti me vendin.
Kur flas për parimin, ne donim që të krijonim një mundësi që të bëheshin bashkë universiteti dhe kompanitë, duke mbajtur në mes studentin. Kjo do të thotë, duke mbledhur bashkë të gjithë kompanitë, të krijohej një mundësi që ato të prezantojnë aktivitetin e tyre dhe një njëkohësisht dhe kapacitetet. Studentët patën mundësinë që duke vizituar stendat e kompanive pjesëmarrëse në Panairin e Punës, të shihnin se cilat ishin kapacitetet dhe mundësitë e kompanive. Panairi synoi që të vendoste një marrëdhënie të re mes kompanive edhe studentëve.
Ne kemi një marrëveshje me një pjesë të madhe të kompanive pjesëmarrëse, duke qenë se shumë prej studentëve tani kryejnë praktikat tek ata. Por panairi lidh marrëdhënie direkt me studentin, e cila është një lidhje më e qëndrueshme.
Ne kemi kapacitete, përveç mësimit kemi edhe kërkimin shkencor. Problemet që mund të ketë një kompani mund t’i zgjidhë universiteti. Ose kapacitetet që ka universiteti mund të përdoren nga një kompani. Në këtë mënyrë nis të ndërtohet edhe një lidhje mes aspektit të kërkimit shkencor dhe nevojave të kompanive.
Si është kërkimi shkencor, sa kërkime bëni?
Duke filluar nga 2016, kemi ndërtuar një strategji për sa i përket kërkimit shkencor. Strategjia është e orientuar nëpërmjet partneriteteve që kemi lidhur me universitetet europiane, nga të cilat marrim edhe formën, edhe praktikën.
Ne i prezantojmë çdo vit në një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku janë punët tona por edhe ato që janë rezultat i bashkëpunimit. Duke u bërë bashkë kërkuesit tanë me ata të huaj, gjenerohet një punë e qëndrueshme. Dikur i organizonim në mënyrën e vjetër, tani kemi një qasje të re.
Ka njëfarë ngadalësimi, sepse ne nuk pranojmë më kontingjentë për doktoraturë. Në universitetin publik është bllokuar numri i kuotave, prej katër vitesh nuk kemi aplikantë të rinj për doktoraturë. Kërkimi shkencor mbështetet tek energjitë e reja. Bashkëpunimi me universitetet e huaja ka qenë një shtysë e madhe për të rritur cilësinë e kërkimit shkencor.
Disa nga kompanitë pjesëmarrëse në panair theksuan se ka një hendek midis njohurive (kurrikulave që marrin studentët në shkolla dhe nevojës që ka tregu). Si e shikoni këtë shqetësim?
Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe vetë ky organizimi ka pasur si qëllim edhe këtë element. Në fund të fundit, produkti që ne nxjerrim duhet të jetë pjesë e kompanive. Kompanitë e dinë më mirë se çfarë nevojash ka tregu. Është detyra jonë që, duke qenë afër kompanive, të kemi mundësinë që me kërkesat e tyre, të përsosim programet tona.
Falë edhe partneriteteve që kemi me universitetet europiane, ne kemi bërë një përshtatje të kurrikulave që marrin studentët jashtë me kurrikulat që mësohen në shkollat tona. Duam t’u japim mundësinë studentëve tanë që të marrin një kualifikim tjetër, që ta kenë shumë të lehtë për t’u integruar edhe në tregjet europiane të punësimit. Kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjerë me kompanitë që ne t’i orientojmë programet tona, sidomos, masterat që janë specializime në fusha të caktuara, me nevojat e tyre.
Një pjesë e studentëve zgjedhin të shkojnë jashtë në përfundim të studimeve, veçanërisht studentët e teknologjisë së informacionit. Çfarë mund të bëhet që ne t’i nxisim studentët që të qëndrojnë në vend?
Duke dalë jashtë kuadrit të universitetit, situatat dhe kushtet e vështira i detyrojnë studentët drejt zgjedhjeve që ju japin më tepër siguri dhe një jetë më të mirë. Ky nuk është vetëm një problem me studentët tanë, por edhe me ata të mjekësisë. Problemi nuk është i Universitetit, është shumë më i gjerë dhe lidhet me faktorët ekonomikë. Thuhet se na ikin studentët, por pak përmendet që nga universitetet tona po ikin edhe pedagogët. Arsyeja nuk lidhet vetëm me pagën, por edhe me formimin që marrin në një universitet tjetër.
Çfarë keni nevojë që të përmirësoni në fakultet?
Nëse i referohemi një shifre që i takon Politeknikut duhet që për një student në universitetet politeknike, sipërfaqja minimale të jetë 6 deri 8 metër katrorë në dispozicion. Nuk mund të mendohet që një fakultet arkitekture të jetë me një sipërfaqe 3-4 metër katrorë për student. Ndërkohë që në klasa, sipërfaqja është 2 metër katrorë për student.
Ky është vetëm një element. Natyrisht që këtu diskutohet ulja e pranimeve, me qëllim që të arrihen standardet. Ne na duhen ambiente të reja, laboratorë të rinj, të vendosim pajisje të reja teknologjike. Në një pjesë të rasteve jemi të detyruar të prishim klasa për të bërë laboratorë. Një zgjidhje do të ishte bashkëpunimi me bizneset duke krijuar ato që quhen inkubatorë, ku një kompani vendos në dispozicion hapësirat e saj për studentët që të praktikohen dhe në fund, produkti që del nga këta laboratorë është pronë e kompanisë.
Në këtë mënyrë krijohet një marrëdhënie simbiozë midis universitetit, kompanisë dhe studentëve. Panairi shërbeu jo vetëm për të krijuar lidhje midis kompanive dhe studentëve, por edhe për të ndërtuar një strategji të mirëfilltë që do t’i vijë në ndihmë universitetit. Është e nevojshme një vëmendje më e madhe nga shteti.
Fondi që shkon për arsimin nga buxheti i shtetit është shumë i ulët, edhe më i ulët është për kërkimin shkencor. Kërkimi shkencor nuk bëhet me tarifat e studentëve. Të ardhurat që marrim nga tarifat e studentëve janë të ulëta dhe nuk mjaftojnë për të mbyllur kostot administrative, dhe jo më të financohet kërkimi shkencor. Shteti, me anë të politikave të veta, duhet të na ndihmojë me infrastrukturën, të na sigurojë ambiente. Partneritetet me universitetet e huaja kërkojnë shpeshherë disa standarde që për ne është e vështirë t’i plotësojmë.
Ju thatë se bashkëpunoni vazhdimisht me kompanitë private, qoftë për intershipet e studentëve, qoftë për rekrutimin e tyre në kompani të ndryshme. Cilat janë profesionet më të kërkuara?
Kërkohen më shumë studentët e teknologjisë së informacionit. Kërkesa më e lartë është për studentët e inxhinierisë së informatikës, inxhinierisë elektronike dhe inxhinierisë së telekomunikacionit. Më pas vijnë inxhinierët e ndërtimit dhe arkitektët, edhe pse arkitektura është në një fazë ngopje, kërkesë ka për ata që janë të orientuar te ndërtimi. Sa u përket arkitektëve në fushën e konceptit kanë shumë konkurrencë nga kompanitë e huaja.Edhe për inxhinierët e ndërtimit ka aktualisht kërkesë, po ashtu ka pasur kërkesë edhe për inxhinierët e gjeologjisë.
Largimi i projektit TAP do të krijojë pak vështirësi në tregun e punës, dhe do të jenë kompani të tjera. Edhe për sa i përket inxhinierëve elektrikë, ka aktivitete.
Janë degë të preferuara nga kompanitë dhe duhet thënë që kemi përparësi në punësim. Arma jonë e fortë janë studentët, të cilët janë shumë cilësorë. Në teknologjinë e informacionit, studenti i fundit që ne pranojmë ka mesataren 9.7, arkitektura 9.2, ndërtimi 8.7. një pjesë e mirë arrijnë një stad dhe ikin jashtë. Kërkojnë një cilësi tjetër. Me studentët që kemi një projekt për diplomë të dyfishtë, ne i çojmë në Francë në Grandes Écoles, bëjnë dy vitet e fundit, asnjëri prej tyre nuk është kthyer. 16 studentë që kanë shkuar dhe nuk janë kthyer. /Monitor
Gesko dhe Rina sjellin këngën e re “Bobo”
Mexhiti: Nesër në mbledhjen ndërqeveritare Kosovë-RMV do të ...
Muriqi: Me Lituaninë vetëm fitore
Zëdhënësi i Hezbollahut vritet gjatë një sulmi në qendër të ...
Lela: Gjesti mund të ndihet më ‘i vogël’ se Edi
Prezantohen 4 drejtorët e rinj të policisë, Hoxha: Të garant...