Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me planin për krijimin e një shtetit Bektashi brenda Shqipërisë. Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë, kryeministri tha se komunitetet e tjera në vend janë pjesë e komuniteteve të mëdha të shtrira në të gjithë botën, ndërsa komunitetin Bektashi e konsideroi si “jetim”. Sipas Ramës, për atë që komuniteti Bektashi përfaqëson në historinë e vendit është një pasuri kombëtare që duhet ruajtur.
“Prej kaq shumë vitesh jam mësuar që kur bëjmë diçka të re, të dëgjoj shumë çudira, por si këtë herë asnjëherë. Gjëja që më ka habitur është që çfarë padie e jashtëzakonshme ekziston për punën e bektashinjve. Unë i sugjeroj të lexojnë dhe të informohen se çfarë përfaqëson në historinë e vendit tonë, çfarë roli ka pas në kombin tonë dhe çfarë pasurie e madhe është për kombin tonë. Thënë kjo për çfarë përfaqëson komuniteti i bektashinjve në historinë tonë si pasuri historike dhe kulturore, patjetër që ky është një nga 4 komunitetet, tani çfarë i bashkon këto të treja dhe i ndan?
Këto janë pjesë e komuniteteve shumë të mëdha të shtrira në të gjithë dynjanë, ndërsa komuniteti bektashi duket si jetim. Këto komunitete e tjera kanë jetën e tyre, hapësirën e tyre shumë të madhe, kanë mundësi të marrin mbështetje nga të katër anët dhe e kanë të ardhmen të garantuar. Ky tjetri është një komunitet që mbahet me mundime të mëdha dhe që e ka kapacitetin e rrezatimit shumë të ulët për shkak se kaq fuqi ka. Tani kemi ne interes kombëtar ruajmë këtë pasuri, apo tja lëmë fatit dhe po ju them unë që për pak dekada nuk do ketë më një sistem me të gjitha figurat se fuqia dhe mundësia për ta prodhuar nuk është më. Imamët i shkollojnë, priftërinjtë i shkollojnë në vend të ndryshme të botës, po këta si do e garantojnë vazhdimësinë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se krijimi i një entiteti sovran do të thotë në këtë rast një status si përfaqësi diplomatike.
“Çfarë do të thotë të krijohet një entitet sovran? Do të thotë që statusi i tyre të ngrihet në një nivel maksimal dhe të ketë një rrezatim përtej atij perimetri të pronës së vet sepse janë në pronën e tyre, i kanë patur, ja mori komunizmi dhe tani e kanë prap. Ky është një status si një përfaqësi diplomatike. Bëhet fjalë për pasuri kombëtare, për një thesar që ne nuk mund ta lëmë të tretet. Ça do duan këta të tjerët? Të gjithë kanë qendra, disa kanë një disa kanë disa”, theksoi Rama.
I pyetur si do të vendoset për krijimin ose jo të tij, kryeministri theksoi ccështja do të diskutohet në një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare dhe se do të shihen edhe të gjithë aspektet legjislative.
“Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja. Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash “jo po se kjo”. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto. Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare. Kështu e shoh unë”, deklaroi Rama./rtsh.al/
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?
A është tradhtia një sëmundje apo një zgjedhje?