Plagosja te Komuna e Parisit në Tiranë, Vocaj: Kam folur me efektivin, ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike

17:50 | 19 Gusht 2024
E.G

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e regjistruar te Komuna e Parisit në Tiranë, ku efektivi Erion Goxhara plagosi me armë zjarri 45-vjeçarin Loren Kosta.

Në një deklaratë për mediat, Vocaj tha se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Ai bëri me dije se ka komunikuar me efektivin, për të cilin tha se ndodhet në gjendje të lënduar psikologjike. Vocaj i bëri thirrje efektivit që të dorëzohet.

“Punonjësi i policisë në strukturat për kufirin dhe emigracionin në Tiranë, për motive të dobëta ka plagosur një shtetas tjetër 45-vjeçar. Jemi duke punuar për ta lokalizuar dhe për ta kapur autorin e kësaj ngjarje. Probabiliteti më i madh është që të ketë qëlluar me armën e shërbimit, po nuk mund ta themi në këto momenti deri sa të kryhen eksperiment e duhura. Autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, që tregon se nuk ka një dashje për ta vrarë, por do të jenë ekzaminimet mjekoligjore që do të provojnë shkallën e fajësisë së këtij autori. Punonjësi i policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar me të është në gjendje të rënduar psikologjike, jemi duke punuar, kemi forcat në terren për ta kontaktuar që të mos kryej ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke harxhuar të gjitha energjitë që ta kapim, por nëse ai do të vetëdorëzohet do të ishte akoma më mirë”, tha Vocaj.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:00 të kësaj të hëne (19 gusht) në një zonë mjaft të populluar të Komunës së Parisit. I plagosuri është dërguar në spitalin e Traumës, teksa Vocaj tha se, fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.

/rtsh.al/

Të ngjashme