Përshkallëzohet protesta e opozitës

10:41 | 20 Shkurt 2017
Arbresh.info

Protesta e Partisë Demokratike në Shqipëri për zgjedhje të lira e të ndershme është sot në ditën e tretë, ndërsa pritet përshkallëzimi i saj gjatë orëve në vijim.

Të dielën grupi parlamentar demokrat vendosi që PD të bojkotojë veprimtarinë parlamentare, derisa të përmbushen kërkesat e saj, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, nga një qeveri teknike.

Mbështetës dhe zyrtarë të PD-së vazhdojnë të qëndrojnë në tendën e ngritur para selisë së kryeministrisë, që nga pasditja e së shtunës, në mbështetje të kërkesës për zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, në një prononcim për mediat mëngjesin e së hënës, deklaroi se protesta është vetëm në fillimin e saj, ndërsa paralajmëroi përshkallëzimin e ketij aksioni politik, në të gjitha format, për largimin e qeverisë.

“Me këtë qeveri zgjedhjet nuk do të bëhen. Nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë pa zgjedhje të lira e të ndershme”, ritheksoi Paloka.

Ndërkohë vijimi i protestës së PD-së përkon me 20 shkurtin, 26 vjetorin e rrëzimit në Tiranë të shtatores së diktatorit Enver Hoxha.

Me këtë rast, kryetari demokrat Lulzim Basha ftoi gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës.

“Miq, qytetarë, studentë, pedagogë, intelektualë, dhjetoristë, ju ftoj nesër të bashkoheni me ne për të kujtuar 20 shkurtin në orën 10:30 në Sheshin e Lirisë. Vetëm të bashkuar do t’i japim fund një herë e mirë demokracisë fasadë dhe zgjedhjeve fasadë. Pranverat tona të lirisë i kemi nisur bashkë dhe i kemi fituar bashkë”, shkruan Basha në FB.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme