Google ADS

Përplasja e deputetëve të opozitës me policinë, Hoxha: Efektivët nuk ishin të armatosur

13:19 | 18 Tetor 2024
E.K

Ministri i Brendshëm i Shqipëris, Ervin Hoxha ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se efektivë të Policisë ishin të armatosur gjatë përplasjeve me deputetët, një ditë më parë, para ambienteve të Kuvendit.

Në një deklaratë për mediet, Hoxha tha se forcat e Policisë nuk kanë patur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri.

“Keqardhje për deputetët e opozitës, që ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe Gardës, që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet nga ana e punonjësve të Policisë. Ndërsa e drejta e dhunës, djegies, shkatërrimit, dhunës, nuk do të tolerohet.

Në deklaratën e Policisë së Shtetit të dhënë dje rreth mesditës është shprehur qartë se nuk ka patur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga punonjësit e Policisë. Në ligjin për tubimet janë caktuar shprehimisht rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e Policisë së Tiranës nuk kanë patur dhe nuk kanë qenë të pajisura me armë zjarri”, – u shpreh Hoxha,

Ministri dënoi, atë që e cilësoi, si sulm të deputetëve të opozitës ndaj forcave të Policisë dhe Gardës.

“Sulmi i deputetëve ndaj Policisë dhe Gardës së Republikës, në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë ne BE, nuk është i pranueshëm, sepse forcat e Policisë dhe Garda e Republikës është aty për të mbrojtur institucionet kushtetuese. Forcat e Policisë së Shtetit që ishin të planizuara nga DVP Tiranë për mbrojtjen e institucioneve ishin atje për të kryer detyrën”, – u shpreh Hoxha.

Një ditë më parë, deputetët të opozitës, duke vijuar mosbindjen civile, u përplasën me Gardën e më pas me Forcat Kombëtare të Sigurisë në ambientet e jashtme të Kuvendit. Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha se efektivë të policisë iu nxorën armën deputetëve të opozitës, por Policia në një reagim zyrtar mohoi deklaratën e deputetit të PD./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme