Përplasi çiftin me foshnjën në Tiranë, lirohet nga burgu Ajas Sulejmani

13:18 | 29 Qershor 2022
Xhejlane Haliti

Lirohet nga qelia Ajas Sulejmani, shoferi i aksidentit që shkaktoi reagime të forta në publik, ku përplasi te vijat e bardha çiftin dhe foshnjën 3-muajshe. Gjykata e Tiranës vendosi që të zbusë masën e sigurisë ndaj tij, ndërkohë që 39-vjeçari do të hetohet nën masën e arrestit shtëpiak. Ajas Sulejmani tha në gjykatë se: “nuk pata qëllim të ikja, kisha vajzën e mitur në makinë dhe duhet ta çoja në spital”.

Më 12 maj Gjykata e Tiranës la në burg 39-vjeçarin Ajas Sulejmanin, i cili përplasi foshnjën 3-muajshe dhe prindërit e saj te Rruga Kavajës teksa këta të fundit po kalonin në vijat e bardha, mesditën e 8 majit.

Gjatë seancës ai tha se ka patur një problem me sistemin e frenimit dhe nuk ka mundur dot që të ndalojë automjetin. Sa i takon faktit që ai ishte nën efektin e drogës, ai e ka mohuar këtë gjë.

Ngjarja e rëndë ndodhi, ku 39-vjeçari me automjetin tip G-CLASS kaloi me semafor të kuq dhe përplasi çiftin Vilma dhe Arjan Konomi bashkë me femijen e tyre 3-muajshe. Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve është ende e rëndë.

Sulejmani ishte shoqëruar edhe tre javë para aksidentit në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore për verifikim dhe më pas ishte lënë i lirë. Ndërkohë në vitin 2014 ai ishte në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi në atë kohë akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike./Shekulli/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme