Google ADS

Përmbarimi e policia nxjerrin nga shtëpia fëmijën paraplegjik

00:10 | 4 Mars 2017
Trina Galanxhi

Drama e familjes Toska nuk është mbyllur vetëm me skandalin në drejtësi, ku avokati i mori 8.000 euro, me pretendimin për t’ua dhënë gjyqtarëve, por rrëzimi i kërkesëpadisë i hapi rrugën Përmbarimit për ta nxjerrën nga shtëpia babanë me djalin me aftësi të kufizuara.

Pa pasur parasysh gjendjen e të sëmurit, Përmbarimi, duke u mbështetur nga policia, e nxori jashtë pa praninë e asnjë punonjësi social dhe e la atë në mes të 4 rrugëve, pa asnjë kujdestar.

Ndërhyrja e Përmbarimit u krye në fillim të muajit shkurt, kur përmbaruesi privat Fatos Alimadhi shkoi me mbështetjen e policisë për ta nxjerrë nga shtëpia Rexhep Toskën.

“Fiks Fare” tregoi sesi u krye ekzekutimi i vendimit, ku fillimisht u shoqërua në polici Toska për kundërshtim të veprimeve përmbarimore. Pas tij, policia dhe përmbaruesi nxorën jashtë djalin pa praninë e asnjë punonjësi social ose psikologu.

Por Toska është i vetmi kujdestar i djalit të sëmurë, i cili u la në mes të 4 rrugëve, pavarësisht sesi përmbaruesi privat, ashtu dhe policia thanë se do të gjenin një zgjidhje për të.

Pas kësaj, djali u la në hyrjen e pallatit dhe i vetmi që kujdesej për të ishte një i afërm, i cili u ndodh aty në momentin e ekzekutimit të vendimit.

Djali, i cili është paraplegjik dhe me aftësi të kufizuara, u la gjithë ditën pa ushqim, pa ujë dhe ajo që është më e rëndësishme, pa ilaçe, ndërkohë që kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga spitali.

Përmbaruesi dhe policia qëndruan larg vendit ku ishte lënë i sëmuri, ndërsa tentonin ta çonin në spital, me qëllim që të cilësonin urdhrin e gjykatës të ekzekutuar, pa marrë parasysh gjendjen e të sëmurit.

Përmbaruesi tha se do mundohet të gjejë një zgjidhje, ndërkohë që njoftonte ambulancën, me qëllim për ta çuar në spital. Tri ambulanca u njoftuan nga policia dhe përmbaruesi, por ato nuk pranuan ta marrin të sëmurin, pasi sipas tyre, ai nuk ishte për urgjencë, por kishte nevojë për punonjës të shërbimit social.

Në një moment edhe më të rëndë, policia tenton ta fusë të sëmurin në bagazhin e furgonit të policisë, pasi sipas tyre do e çonin në komisariat, një veprim i kundërligjshëm për këtë shtresë në nevojë.

Më pas, policia tentoi ta çojë të sëmurin në zyrën e Përmbarimit, por mjekët thanë se nuk ishte kompetencë e tyre.

Gjatë gjithë këtyre tentativave, pothuajse nga paraditja deri në mbrëmje vonë, babai i të sëmurit u mbajt në furgon dhe nuk u la në dhomat e shoqërimit në Komisariatin Nr. 3.

Vetëm në mbrëmje, atij iu mor një deklaratë dhe u lirua, ndërkohë që Përmbarimi dhe policia ishin larguar nga vendi i ekzekutimit të vendimit, duke e lënë vetëm personin e sëmurë.

Pas lirimit, Rexhep Toska u kthye tek i biri dhe bashkë thanë se do të kalonin natën nën qiell të hapur, në kushtet që askush nuk u jep të drejtë, pavarësisht se shtëpinë e kanë blerë me dokumente të rregullta, madje kanë bërë dhe pagesat përkatëse. Avokati i Toskës, Eduard Mullaraj i cilësoi veprimet e përmbaruesit dhe të policisë të kundërligjshme, pasi ishin të njëanshme dhe nuk morën parasysh gjendjen e djalit të sëmurë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme