Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të bllokuara në Kukës, Has e Tropojë

13:02 | 23 Nëntor 2024
K.B

Në Shqipëri, orët e vona të mbrëmjes u shoqëruan me stuhi dhe rrebeshe shiu, duke shkaktuar vërshime në rrugë dhe rrëshqitje masive të gurëve dhe inerteve.

Rruga Kukës-Shishtavec u bllokua gjatë natës pas rrëshqitjes së një masivi gurësh që ranë nga skarpatet anësore, në afërsi të fshatit Lojmë. Fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes nuk pati qarkullim mjetesh apo qytetarësh.

Kompania sipërmarrëse ka nisur punën për largimin e gurëve nga rruga dhe sigurimin e skarpatit nga rrëshqitje të tjera të mundshme.

Në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, reshjet e shiut u kthyen në reshje dëbore, ndërsa temperaturat ranë ndjeshëm. Energjia elektrike është ndërprerë në shumë zona të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, për të cilat po punohet nga grupet e punës të OSHEE-së, shkruan A2.

Nga informacioni i marrë nga KMC, mësohet se në territorin e Kukësit dhe Hasit kanë vazhduar reshje të dobëta bore, ku në Shishtavec trashësia arrin deri në 3 cm. Ndërkohë, deri në këto momente, nuk ka reshje bore në zona të tjera. Aktualisht, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme normalisht, përfshirë edhe Rrugën e Kombit. Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme