Aksidentet rrugore ditët e fundit kanë përgjakur rrugët në vend, duke shënuar thuajse çdo ditë raste të reja me pasoja të rënda për jetën e njerëzve.
Në harkun kohor të një jave, në rrugët e vendit kanë ndodhur mbi 10 aksidente rrugore, me një bilanc tragjik, katër persona të vdekur dhe 25 të tjerë të plagosur.
Ndonëse policia rrugore ka shtuar ndjeshëm numrin e efektivëve në terren, së bashku me pajisjet digjitale për matjen e shpejtësisë dhe dronet për të kontrolluar trafikun, sërish rrugët në vend vazhdojnë të përgjaken.
Rasti më i fundit me dy persona të vdekur është shënuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, pranë urës së Dajçit. Mjeti tip benz është përplasur fatalisht me një kamion anës rrugës, duke shkaktuar vdekjen e dy personave që udhëtonin në të.
Ndërkohë një ditë më parë një grua shtatzënë humbi jetën dhe 8 persona të tjerë u plagosën në një tjetër aksident të ndodhur në aksin Levan-Fier. Në këtë periudhë kohe, përveç aksidenteve në rrugët automobilistike, janë shënuar edhe tre aksidente me trenat në mbikalime hekurudhore të ligjshme dhe të paligjshme, ku janë plagosur 9 persona.
Më i rëndi u regjistrua në afërsi të Përroit të Agait në Durrës, ku treni përplasi dhe mori zvarrë për mbi 80 metra një automjet ku ndodheshin e tërë familja, bashkëshortët dhe katër fëmijët e mitur. Fatmirësisht, ky aksident, ashtu si edhe dy të tjerët e ndodhur në afërsi të Gërdecit, kaluan vetëm me plagosje të lehta.
Ndërkohë gjatë muajit korrik të këtij viti, në rrugët e vendit janë regjistruar 166 aksidente rrugore me 210 persona të përfshirë në këto aksidente, nga të cilët 18 kanë humbur jetën. Edhe pse shifrat kanë një ulje të lehtë, krahasuar me një vit më parë, ato sërish mbeten të larta.
Sipas ekspertëve rrugorë, edhe pse shkaqet kryesore të aksidenteve janë për shkak të sjelljes së drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve, masat për menaxhimin e trafikut dhe shmangien e aksidenteve nuk mund të jenë sezonale, kur rriten ndjeshëm fluksi, siç vepron aktualisht policia rrugore.
Por duhet të bëhen më afatgjata dhe të studiuara, duke përfshirë edhe institucionet e tjera që janë përgjegjëse për gjendjen e rrugëve./TCH
“Ndaluni të gjithë, Kosova është Kosovë ose Kosova është Shq...
Qeveritë në Paris dhe Berlin mbeten pa para
Anisa Veseli, banorja më e re në BBVK
Komuna e Prishtinës vendos pllakë përkujtimore të dëshmorit ...
Pheniani e mban sekret brenda vendit lajmit se ka dislokuar ...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj