Protesta e Partisë Demokratike është mbyllur pas mbajtjes së fjalës së kryedemokratit Sali Berisha në ambientet e jashtme të selisë së PD-së.
Kryedemokrati Berisha u shpreh i bindur se mosbindja civile do të vazhdojë për shumë gjatë.
Protesta që nisi rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm jashtë ambienteve të Gjykatës së Lartë ku po mbahet seanca për vulën e PD-së, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta duke u mbyllur me shpërndarjen e protestuesve, të cilët destinacion të fundit kishin selinë e PD-së.
Sali Berisha: Sot në betejën tonë pa kthim, kundër diktaturës, çelëm një faqe të re. Sot, ne nisëm protestën kundër institucioneve të shndërruara në armë të diktaturës. Kjo protestë, e para në historinë 32-vjeçare të pluralizmit, para gjykatës supreme, Gjykatës së Lartë, e cila ka shënuar me qëndrimet e saj, një tradhti të lartë kombëtare ndaj ligjit, Kushtetutës dhe pluralizmit, shënon vetëm fillimin e btejave tona. Sot, protesta jonë para selisë së partisë së krimit, shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie, e cila me të gjithë qëndrimet e saj, e udhëhequr nga Edi Rama është përgjegjëse për dramën e madhe të shqiptarëve.
Edi Rama në krye të kësaj partie, kërkon të zhdukë PD-në, por ne do qëndrojmë dhëmb për dhëmb. Ne jemi të pamposhtur. Protestat tona do përhapen në të gjithë vendin dhe së fundmi do përqendrohen përpara të gjitha institucioneve të krimit, para kryeministrit, do përqendrohen në çdo skaj të vendit për të mbrojtur liritë tona. U jam shumë mirënjohës, keni lënë çdo gjë dhe jeni sot këtu si luftëtarë lirie.
U garantoj se shumë shpejt ky fillim do shndërrohet në një ortek të fuqishëm. Sot ju vratë frikën e shqiptarëve për të protestuar përpara atyre organeve që janë shndërruar në xhelatë të të drejtës dhe ligjit, organe që funksionojnë si në diktaturë me urdhrin e diktatorit, organe që shndërrohen në hanxharë në duart e diktatorit. Fillimi është jashtëzakonisht premtues, fillimi ynë është shpresa e vetme e shqiptarëve.
Sot të gjithë shqiptarët e trembur, të gjithë shqiptarët e strukur, e frikësuar, sytë i kanë te ju dhe vetëm te ju. Natyrisht ne sot fillojmë një kapitull të ri, por ju garantoj ju se forcë në botë që të më ndajë mua nga ju, nuk ka. Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, unë do bëj gjithçka që së bashku me ju, të ecim të sigurt drejt fitores.
Edhe njëherë, dua t’u them këtu ju, se besimi që më dhatë ju, unë e pranova, e pranova me dy qëllime më kryesoret. E pranova sepse ju ishit demokratët që donit të qëndronit si opozitë e vërtetë, që donit të qëndronit për idealet tuaja të lirisë, që nuk donit pazare, që nuk donit t’u kontrollonte kush, cilido qoftë ai, mik apo jo mik. Nuk donit në asnjë rrethanë që Shqipëria, opozita, të kontrollohej nga një bandë mafioze. Ndaj ju votuat Sali Berishën.
Së dyti, ju garantoj se ne do ecim drejt fitores. Ju keni konstatuar se ne ndoqëm proceset, ne pranuam të hynim në zgjedhje në kushtet më të pabarabarta. Por donim ta kapnim për fyti hajdutin e votës, armikun e votës, për t’u betuar se nuk do i ndahemi kurrë derisa të qërohet nga pushteti. Ai e kuptoi këtë, ndaj dhe kaloi në masa ekstreme. Por përsëri ju siguroj se do dështojë. Ne nuk mashtrohemi nga Edi Rama. Ne nuk jemi ata të cilët u themi shqiptarëve se me Edi Ramën mund të fitohen zgjedhjet.
Ne u themi shqiptarëve që të rrëzojmë Edi Ramën që të fitojmë zgjedhjet. Të votojnë shqiptarët të lirë. Dhe ne do e realizojmë këtë. Kjo kërkon guxim, kërkon sakrifica, kërkon vendosmëri, por ne së bashku të tillë jemi dhe ju garantoj ju se çdo ditë e më shumë do bashkohen shqiptarët rreth nesh. Fitore, fitore, fitore!
Në fjalën e tij përpara mbështetësve të Partisë Demokratike që proteston përpara godinës së Gjykatës së Lartë që pritet të japë vendimin për vulën e PD-së, kryedemokrati Sali Berisha tha se me masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij dhe heqjen e imunitetit është shkelur Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
“U shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqjen e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në kuvend. Gjithashtu u shkel rregullorja e Kuvendit në mënyrën si u votua heqja e imunitetit të tij. Pse u dashka kyçur pa asnjë provë në shtëpi Sali Berisha? Vetëm se i ka kallur bashkë me ju tmerrin monstrës së pluralizimit, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës? Denoncimet tona i ka si helm se është mëkatar por nuk mund të bëhet fjalë për një grua, për një vajzë të korruptuar në Shqipëri pa cituar thjeshtrën e tij e cila pasurohet ditën dhe natën kur flen dhe kur zbavitet vetëm e vetëm falë njerkut të artë nga i cilin fiton çdo tender dhe asgjëson çdo konkurrent. Nuk mund të mos flitet për një grua të korruptuar kur përmend Linda në një kohë kur fiton me para të donatorëve çdo projekt bashkëpunimi me qeverinë. Të gjitha këto në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën ndaj dhe ata mendojnë se duke më hequr të drejtën e komunikimit do shpëtojnë nga kritikat. Sot duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat nuk garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që është peng i Edi Ramës çfarë ndodh, kjo është diktaturë”.
Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë, pasi sipas tij, në Shqipëri po përsëritet skenari i Rusisë.
“Shqiptarë zgjohuni sepse po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit. Jo diktaturë si ato të vjetra me kampe përqëndrimi por diktaturë moderne. Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre, betejë për vetëekzistencën e Shqipërisë. A do fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”.
Kryetari i PD theksoi se opozita duhet të bindë qytetarët për të rrëzuar Kryeministrin Rama.
“Pa u treguar të vërtetën shqiptarëve, pa i bindur ata, nuk mund të rrëzohet Edi Rama. Sepse pa këtë fitore, mashtrimi i tij te shqiptarët do të ishte edhe më i fortë. Sytë e shqiptarëve do të ishin ende të mbyllur. Hymë në zgjedhje duke ditur me bindjen më të plotë se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. Por hymë në zgjedhje për të përgatitur çdo shkjelje të këtij armiku të egër të votës tuaj. U treguam shqiptarëve dhe botës se me Edi Ramën ja ku janë faktet, zgjedhje nuk mund të ketë. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë gjë tjetër si në Beograd, si në Rusi, Bjellorusi, Iran dhe diktaturat e tjera”.
Teksa në Gjykatën e Lartë po mbahet seanca për vulën dhe logon e PD-së, po zhvillohet protestë jashtë ambienteve të kësja gjykate. Në nisje të protestës, fjalën e ka mbajtur kryedemokrati Sali Berisha, i cili është shprehur se Gjykata e Lartë është një vegël e kryeministrit Edi Rama dhe po përdoret për të masakruar arritjen më të madh të shqiptarëve, atë që e quan simbolin e pluralizmit politik.
Sali Berisha: Një përshëndetje të përzemërt për ju luftëtarë të lirisë që nisni ditën në revoltën tuaj kundër diktaturës, që nisni sot ditën me revoltën tuaj në mbrojtje të vlerave të lirisë. Në jetën time kam pasur privilegjin t’i shërbej Shqipërisë në postet më të larta, kam shërbyer si president, kam shërbyer si kryeministër. Kjo karrierë e gjatë në postet publike, zhvillon te njeriu natyrën e tij të dytë për respektimin e ligjit. Zgjohesh me ligjin, punon gjithë ditën me ligjin, fle me ligjin dhe vetëm me ligjin vazhdon jetën e përditshme. Për Sali Berishën, ligji ai ka qenë thuajse një përcaktim gjysmë hyjnor. Një porosi kam pasur për bashkëpunëtorët e mi dhe nuk jam lodhur duke e përsëritur: respektoni ligjin.
U bë vite që armiqtë dhe kundërshtarët e mi kanë nxitur hetime shterruese ndaj meje. Dhe ka një arsye pse mbas kaq kohësh, mbas kaq përpjekjesh, nuk kanë gjetur asnjë fakt, asnjë provë, asnjë shkelje në mijëra e mijëra vendime të Sali Berishës. Sepse unë gjithnjë kam respektuar ligjin dhe vetëm ligjin. Unë kam respektuar ligjin me bindjen më të thellë se ai respekt është mënyra më e sigurt për garantimin e lirive tuaja, për funksionimin e shtetit ligjor, pa të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci. Kështu që në këtë aspekt, mund t’u them para jush sot se vështirë të gjendet një tjetër të ketë konsideratë më të lartë se unë për ligjin.
Ky është fakt! Por sot është koha kur secili prej nesh duhet të kujtojë diçka thelbësore që duket se është harruar. Çfarë është ligji? Ligjet, Kushtetuta, gjykatat, janë të gjitha instrumente për të garantuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Ashtu si kirurgu ka bisturinë në dorë për të shpëtuar jetën e të sëmurit, zyrtari ka ligjin në dorë për të garantuar jetën e njerëzve. Por, meqenëse përmenda bisturinë, çdo njeri e di se ashtu sikundër bisturia shpëton jetë në dorën e mjekut, bisturia mund të marrë jetë në duart e kriminelit. E njëjta gjë ndodh dhe me ligjin. Në duart e zyrtarit të përgjegjshëm, ligji garanton liritë dhe të drejtat e njeriut. Në duart e kriminelit, ligji është arma më efiçente për shtypjen dhe asgjësimin e të drejtave të njeriut.
Mos harroni kurrë këtë. Ishte me gjykata që Adolf Hitleri urdhëronte persekutimin e hebrenjve. Ishte me gjykata që Enver Hoxha urdhëronte burgosjen dhe ekzekutimin e armiqve të tij. Është me gjykata që Putini burgos sot opozitën e vendit të tij. Është kjo gjykatë mbrapa meje, mbrapa nesh, vegël e Edi Ramës, e cila sot po përdoret njëlloj si bisturia në duart e kriminelit, për të masakruar arritjen më të madhe të shqiptarëve, simbolin e pluralizmit politik./tvklan
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...