Përfundoi marshi i opozitës, Berisha thërret sërish protestë të hënën para Parlamentit të Shqipërisë

15:03 | 11 Shkurt 2023
A. B.

Ka përfunduar protesta e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë e cila nisi në orën 12:00 në disa sheshe të kryeqytetit.

Me qindra protestues ishin mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e cila protestë është organizuar si reagim ndaj çështjes së ish-agjentit të FBI, Charls Mcgonigal, ku në dosjen hetimore përmendet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Protestuesit në duar mbanin disa pankarta me mbishkrimet “Pluralizmit i dalim Zot”, “Çka të bën FBI, s’ta bën Perëndia”, si dhe një pankartë të madhe duke ironizuar kryeministrin Edi Rama, më mbishkrimin “Burg Brother VIP”.

Ndërkaq, kreu i PD-së, Sali Berisha, marshoi nga selia e tij drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Berisha gjatë fjalës së tij para qindra protestuesve kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Berisha tha se protesta e sotme është një “cunam”, i revolucionit demokratik.

“O besë prerë, populli s’ka pasur një faqezi të dytë si ti, jep dorëheqje, largohu. Pas këtij akti të pabesë, ShBA – vendi që udhëheq NATO-n, Rama nuk është më ligjërisht, moralisht i njëjti njeri, ai nuk mund të jetë kryeministër i Shqipërisë. Jep dorëheqjen dhe largohu”, ka thënë Berisha.

Ai po ashtu theksoi se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Evropë, “ai është kreu i narkokratit”, përcjell Telegrafi.

Kreu i Partisë Demokratike (PD), po ashtu i ftoi sërish protestuesit që të hënën, më 13 shkurt të mblidhen për të protestuar para Kuvendit të Shqipërisë.

Por, pas përfundimit të fjalës së kreut të Partisë Demokratike (PD) të Shqipërisë, Sali Berisha protestuesit kanë gjuajtur lëndë plasëse në drejtim të objektit të kryeministrisë, në pjesën ballore të saj.

Kreu i PD-së marshoi nga selia e tij drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, më pas u ndal te Kryeministria, për të vazhduar marshin te Parlamenti i Shqipërisë, te bunkeri në Tiranë, para objektit të Bashkisë në Tiranë dhe para selisë së Partisë Socialiste (PS).

Ndryshe, në këtë protestë ishin diku 1,500 forca policie të pozicionuarë në pikat e ndryshme të qytetit për të siguruar mbarëvajtjen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme