Për 24 orë, 8 vatra zjarri në Shqipëri

14:21 | 19 Gusht 2017
Arbresh.info

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë Shqipërinë janë shënuar 8 vatra zjarri.

Emergjencat Civile bëjnë me dije se “në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar rreth 90 punonjës zjarrfikës, 12 automjete zjarrfikëse, 100 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra punonjës të Pyjores, të bashkive dhe qytetarë vullnetarë, punonjës të policisë etj, të mbështetur nga helikopterë”.

Qarku Korçë

Kanë vazhduar të jenë aktive vatrat e zjarrit të rëna një ditë më parë në vendi i quajtuar “Përroi i Qershisë” ndërmjet kufirit ndarës të Njësisë administrative Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë. Zjarri ka përfshirë një territor me pisha të larta dhe tepër i thyer me vështirësi për tu futur mjetet dhe forcat zjarrfikëse. Forca të shërbimit vendor të MZSH Korçë, punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores, forca ushtarake dhe banorë të zonës, kanë punuar deri në orët e vona të natës duke mbajtur nën kontroll vatrat e zjarrit të fshehura. Ditën e sotme po vazhdojnë operacionet për fikjen plotësisht të vatrave të zjarrit. Në fshatin Gërmenj të bashkisë Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Shërbimi i MZSH Ersekë, punonjës të bashkisë dhe banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje dhe po vazhdojnë operacionin për shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.

Qarku Shkodër

Në fshatin Theth të bashkisë Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Shërbimi i MZSH Shkodër dhe forcat pyjore e kanë pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor dhe sipërfaqes së madhe që po merrte zjarri. Sot në mëngjes helikopteri është nisur për në Theth dhe po vazhdon punën për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Qarku Lezhë

Zjarri i rënë pranë pyllit me pisha në vendin e quajtur “Grykë Orosh” në fshatin Orosh, Njësia Administrative Orosh, bashkia Mirditë, vazhdoi edhe ditën e djeshme. Shërbimi vendor i MZSH Mirditë ka punuar në vendngjarje me automjet zjarrfikës dhe forca shoqëruese, me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të bashkisë Mirditë për të izoluar zjarrin kanë shkuar edhe 20 forcave ushtarake. Zjarri është mbajtur nën kontroll dhe nuk ka prekur pyllin me pisha dhe banesat. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ferra e shkurre dhe vetëm 3 pisha të veçuara.

Qarku Fier

Ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte në aksin rrugor Fier-Vlorë, në afërsi të Njësisë Administrative Levan. Zjarri është përhapur me shpejtësi i favorizuar dhe nga era. Në vendngjarje kanë shkuar forca të MZSH Fier dhe MZSH Patos, 30 forca ushtarake dhe punonjës të bashkisë Fier. Pas një pune disa orëshe zjarri është shuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe disa rrënjë ulliri. Në lagjen ‘Ofiçinë’ të bashkisë Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra duke rrezikuar dhe disa depozita karburanti të cilat ndodheshin shumë afër vatrës së zjarrit. Shërbimi i MZSH Patos ka shkuar në vendngjarje dhe për një kohë të shkurtër ka mundur të shuajë zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre si dhe u shpëtuan nga flakët depozitat me karburant të cilat mund të ishin një rrezik për jetën e banorëve.

Qarku Dibër

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në Liqenin e Zi të bashkisë Bulqizë. Shërbimi i MZSH Bulqizë, forca të pyjores dhe banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje por për shkak të terrenit të thyer malor nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin. Vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive dhe ditën e sotme.

Qarku Vlorë

Ka rënë zjarr midis fshatrave Gumenicë dhe Lapardha. Shërbimi i MZSH Vlorë ka shkuar në vendngjarje me vonesë për shkak të largësisë. Në vendngjarje kanë shkuar dhe banorë të zonës të cilët kanë punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit janë djegur 2 magazina me rreth 500 balla joxhe dhe rreth 500 rrënjë ulliri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme