Peleshi: 2,985 hektarë tokë e përmbytur në Shkodër e Lezhë

13:47 | 22 Nëntor 2022
A Z

Ministri i Mbrojtjes, njëherësh edhe kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Civile, Niko Peleshi, bëri të ditur se aktualisht në Shkodër dhe në Lezhë në total janë 2,985 hektarë tokë e përmbytur nga uji.

Në një deklaratë për mediat, Peleshi bëri bilancin e situatës së shkaktuar nga moti i keq.

Sipas tij, në Shkodër janë 1,685 hektarë tokë nën ujë. Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre.

Edhe në Bashkinë e Lezhës ka pasur gjithashtu përmirësim. Ka prani uji vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje. 1300 hektarë tokë është sipërfaqja e përmbytur.

Sa i përket rrugëve, Peleshi bëri të ditur se pjesa më e madhe e akseve janë të hapura për qarkullim.

“Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë- Theth. Në akset Kukës – Krumë, Kukës – Ura Zapodit, në aksin Kukës – Bushtricë. Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit – Lezhë. Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit. Janë të lira akset rrugore nacionale dhe turistike. Njëkohësisht po bëhet një kontroll i urave pas situatës së krijuar nga shirat”, deklaroi Niko Peleshi”./tvklan.al/

Të ngjashme