Google ADS

PD-së i shtohen dy deputetë

21:20 | 12 Mars 2019
Arbresh.info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kaloi Alban Zenelit mandatin që mbahej nga demokrati Flamur Noka në Qarkun e Kukësit me 4 vota pro dhe një kundër.

Kryetari Zguri votoi kundër, pasi nuk është dakord që të specifikohet emri i deputetit, të cilit po i zëvendësohet mandati, gjë që ngjalli debat mes tij dhe nënkryetarit Biba.

“Shiko, përse nuk thua faleminderit që të dhamë mundësinë të votosh ashtu siç dëshiron?”, u shpreh Denar Biba.
“Po unë e di që juve edhe mund t’i lidhni duart që të mos votosh fare. Ju e keni edhe këtë natyrë”, iu përgjigj Zguri.

Diskutime pati edhe për listën e PD-së në Korçë, kur nënkryetari Biba kërkoi që të mos pritej zëvendësimi i mandatit të parë, por të kapërcehej tek i dyti.

“Në lidhje me zonën Duka, duke qenë se është femër, të presim përgjigjet nga zonjat që janë njoftuar; në lidhje me zotin Karamelo mjafton të zbresim tek emri i dytë Ervin Bujar Salianji dhe të vijojmë procedurën, në mënyrë që edhe mandatet të plotësohen sa më shpejt”, tha Biba.

Sipas Klement Zgurit, kjo do të thotë të ndjekësh një standard të dyfishtë.

“Dje dhe deri te vendimi i parë po thoje ‘i pari në listë’. Tani që kaloi radha më thua i dyti në listë. Ndaje mendjen se kush, o i pari, o i dyti, o i fundit!”, iu referua Bibës, Klemend Zguri.

Edhe Ligoraq Karamelo mori mandatin me 4 vota pro dhe një kundër. Ndërkohë që KQZ do t’u dërgojë thirrjet për të marrë mandatin 14 kandidatëve të tjerë nga listat e PD dhe LSI, Ralf Gjoni nga LSI në Tiranë iu shtua atyre që duan ta pranojnë mandatin e deputetit./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme